LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Kuvendi i Kosovës pothuajse është paralizuar, nuk ka rrugë tjetër përveç zgjedhjeve

Hoti: Kuvendi i Kosovës pothuajse është paralizuar, nuk ka rrugë tjetër përveç zgjedhjeve

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në një konferencë për media pas mbledhjes urgjente të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka thënë se partitë opozitare kanë kërkuar një seancë të jashtëzakonshme për të ratifikuar tri marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme për Kosovën.

Hoti akuzoi kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin për ‘paralizën’ që i ka krijuar Kuvendit të Kosovës.


“Me kërkesë të opozitës, 53 nënshkrime të deputetëve kemi kërkua seancë të jashtëzakonshme për ratifikimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare që janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Këtë seancë e kemi ftuar pasi Kuvendi i Kosovës pothuajse është paralizuar, me insistimin e kryetarit të Kuvendit duke mos ftuar seanca të mëparshme të jashtëzakonshme të kërkuara nga opozita”, ka thënë Hoti.

Ai po ashtu theksoi se nuk ka rrugë tjetër pos zgjedhjeve të reja në vend. “ Nuk ka mbet rrugë tjetër përpos zgjedhjeve të reja”, shtoi Avdullah Hoti, raporton Telegrafi.

Ndryshe, në këtë seancë të jashtëzakonshme do të diskutohen këto tre pika të marrëveshjeve ndërkombëtare:  Votimi i Projektligjit nr. 06/L-090 për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian; Votimi i Projektligjit nr. 06/L-094 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin ‘Evropa për qytetarët’; Votimi i Projektligjit nr. 06/L-095 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në “ERASMUS +” Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport. /Telegrafi/