Heronjtë e vonuar

(Me shkas)
Seç më nxiti të shkruaj një kolegu im gazetar, kur në paragrafin e fundit të një opinioni të tij pashë termin “heronjtë e vonuar”. Megjithëse afërsisht kishim të njëjtin koncept mendimesh me të për këtë term, vendosa që të kapë këtë çështje edhe unë, por në një kontekst tjetër.
Heronjtë e vonuar, sot, në Kosovë, mund t’i gjesh kudo. Mund t’i gjesh në kafene, mund t’i gjesh në institucione, mund t’i gjesh në biznese, në të ashtuquajturat ekspertiza, mund t’i gjesh në pozitë e në opozitë, e gati s’ka vend e skutë ku nuk i gjen. Në pamje të jashtme ata kanë një dukje mjaft elegante, të tërhequr e madhështor, mjaft të shoqërueshëm, të depërtueshëm dhe shumë të interesuar për çdo gjë. Rrallë herë atyre u mungojnë kravatat. Ata shprehin gatishmëri për të dhënë këshilla, imponohen dhe komunikojnë me çdo kënd, madje pa i ftuar askush në bisedë. E ajo çka është më e veçantë tek këta të ashtuquajtur heronj është fakti se i përshtaten çdo pushteti dhe janë të aftë që jo pak njerëz t’i bindin me veprat “e mira” të tyre.
Menjëherë pas luftës, dmth pas triumfit të UÇK-së dhe hyrjes së forcave të NATO-s, këta heronj erdhën në Kosovë me uniforma të hekurosura e me armë që u shndrisnin, kush nga Maqedonia, e kush nga Shqipëria dhe për një kohë shumë të shkurtër uzurpuan tërë Kosovën. Deri më 12 qershor 1999 këta heronj ishin sorollatur nëpër kampe refugjatësh në Maqedoni e Shqipëri, bile disa prej tyre edhe në bregdetin shqiptar. Ata ishin frymëzuar për “heroizëm” atje dhe pasi që “s’patën mundësi” të vijnë më parë në Kosovë (në fakt ata ishin këtu, por ua mbathën të parët), me t’u kthyer shiheshin kudo nëpër parada ushtarake, nëpër manifestimet përkujtimore, para grave nëpër dasma e ahengje, e kështu me radhë. Me shkathtësitë e tyre, ata arritën të krijojnë imazh të keq për figurat kyçe të njerëzve, të cilët në kohët më të vështira, kush me laps e kush me pushkë në dorë ishin në mbrojtje të popullit. Ata akuzuan heronjtë e vërtetë, fyen moralin e tyre, u bënë dëshmitarë për të burgosur njerëz, dhe para tyre, luftëtarët dhe heronjtë e vërtetë humbën gati tërësisht.
Me kalimin e kohës, këta heronj të vonuar u bënë uzurpatorët më të mëdhenj të shtëpive, banesave e lokaleve serbe. Madje pati të tillë që uzurponin, vidhnin e plaçkitnin edhe shporet elektrikë, frigoriferë, TV e bojlerë dhe çdo gjë që u vinte për dore. Krejt këtë “heroizëm”, heronjtë e tillë e bënin nën ombrellën se kishin bërë vepra të mëdha heroike, kishin sakrifikuar, etj. Heronjtë e tillë më pas do të shndërrohen, kush në veteranë të luftës, kush në invalidë të luftës dhe anasjelltas, varësisht se kah i vinte paraja, e përballë këtyre heronjve të vonuar, ata të vërtetit ishin të pafuqishëm të vepronin, sepse ishin të paktë në numër. Zaten, ata që i dolën zot atdheut kur ishte nevoja, kurrë s’kishin menduar të plaçkitin frigoriferë. Ata kishin dashur që forcat serbe të shporren njëherë e përgjithmonë nga Kosova dhe asgjë më shumë. Mbase, rrallëkush prej tyre kishte menduar se do t’i shpëtojë edhe vdekjes.
Heronjtë e vonuar, sot, kanë kapluar shumë segmente të jetës shoqërore, ekonomike, politike e kulturore të Kosovës. Ata shpeshherë i gjemë si ekspertë të shumë çështjeve me rëndësi për shtetin tonë, duke dhënë këshilla, analiza e komente nëpër mediet tona. Çfarë komentesh se! Ata më shumë belbëzojnë para medieve sesa thonë diç me rëndësi. Janë bërë njohës të mirë të zhvillimeve politike, saqë politika e vendit ka marrë një tatëpjetë që kushedi ku do të përfundojë. Për shembull u japin leksione politike njerëzve që në kohët më të vështira kishin udhëhequr politikën dhe leksione sigurie atyre që mbrojtën atdheun kur ishte nevoja. Heronjtë e vonuar kanë kapluar edhe shumë segmente të ekonomisë vendore, saqë as bujku kosovar nuk ka llogari më të punojë në arën e vetë, e as blegtori të rrisë bagëtinë, për shkak të dyndjeve të mëdha të prodhimeve të jashtme në vendin tonë. Ata e quajnë veten ekspert të ekonomisë, saqë nuk po i lënë vend kund prodhimeve vendore duke sjellë prodhime të huaja në vend dhe vërtetë e kanë zhvilluar ekonominë dhe tregun e lirë, saqë fqinjët tanë nuk duan t’ua shohin as surratin prodhimeve tona, edhe ashtu të pakta.
Heronjtë e vonuar kanë depërtuar edhe në kulturën tonë. Ata bëjnë vlerësime e recensione për libra, mbajnë ligjërata e tregojnë përralla (disa bile kanë shkruar edhe libra), marrin pjesë nëpër ekspozita, kritikojnë shkrimtarë e intelektualë. Dhe çfarë kritikash më, po t’i lexosh të humb shija e të lexuarit libër, apo të parit piktura. Ata thonë aq shumë, saqë nuk thonë asgjë. Heronjtë e vonuar e çmojnë shumë veten, e intelekti i tyre është shumë pamë shkurtës, nuk kanë lexuar më shumë se një libër. Ndaj, ata që lexojnë vetëm një libër s’dinë të flasin gjë tjetër, përpos përmbajtjes së saj.
Heronjtë e vonuar, sot po depërtojnë edhe në pushtet, fatkeqësisht. Ata janë të aftë për çdo lloj shantazhi dhe nëpërmjet shantazheve të tilla, duke shantazhuar njerëzit meritorë, po depërtojnë edhe në pozita të larta në hierarkinë shtetërore. Heronjtë e vonuar janë në gjendje të lëpijnë edhe këpucët e çdo kujt, krejt nën hijen e gjërave madhështore, por që kanë vetëm një qëllim, asgjë tjetër pos përfitimit personal. Këta heronj të vonuar kanë shkelur edhe në dinjitetin e të gjitha shtresave intelektuale të shtetit tonë. Kanë shkelur krenarinë e mësuesit, luftëtarit, politikanit, shkrimtarit, akademikut, bujkut, sportistit....Disa prej tyre, madje janë bërë edhe trajnerë që i sheh nëpër shumë seminare të ndryshme. Ndodh që i njëjti të jetë trajner në dhjetë seminare me karaktere të ndryshme.
Te heronjtë e vonuar, sot, fatkeqësisht po depërtojnë edhe armiqtë tanë, ata që nuk e duan Kosovën shtet. Ata janë bërë urë lidhëse e dashakëqijve dhe jo rrallë po i shkaktojnë telashe shtetit tonë të porsa lindur. Patjetër duhet të përmendi një seminar që kishte organizuar njëri nga këta heronj, i cili siç më tha kishte për qëllim mbarështimin e bagëtisë në Kosovë. E dini se çfarë programi kishte? Si të mbarsohet gjedhi. Gati sa s’ia nisa të qarit, por edhe të qeshurit njëkohësisht. A s’është ky grotesk? Bile kaluar groteskut.
Ruana Zot!
(Autori është koordinator i OJQ-së “SHARRI” në Shtërpcë dhe gazetar në “Zëri”)




































