LAJMI I FUNDIT:

Havolli: Gjatë vitit 2017, janë trajtuar 357 raste hetimi për mosdeklarim të pasurisë

Havolli: Gjatë vitit 2017, janë trajtuar 357 raste hetimi për mosdeklarim të pasurisë

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka organizuar konferencën për shtyp në të cilën u prezantua Raporti Vjetor i Punës për vitin 2017, ku u tha se nga 6,242 zyrtarë qe kanë deklaruar pasurinë, ndaj 886 zyrtarëve janë realizuar kontrolle të plota.

Drejtori i AKK-së, Shaip Havolli, tha se gjatë vitit 2017 janë trajtuar 357 raste hetimi, prej tyre 45 janë bartur nga viti paraprak, shkruan Telegrafi.

“Gjatë vitit 2017, AKK janë trajtuar 357 raste hetimi, parandalimi apo mos-deklarim të pasurisë, ku 45 raste janë bartura nga viti paraprak, 89 prej tyre janë raste të kallëzimeve penale, 18 raste për masa administrative dhe 139 raste në procedurë të hetimeve”, tha Havolli.

Ai tregoi se gjatë këtij viti, 6242 zyrtarë kanë pasur për obligim të deklarojnë pasurinë.

“Sipas Ligjit për Deklarim të Pasurisë, gjatë këtij viti, 6242 zyrtarë e kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, ku 886 kanë pasur kontroll të plotë, në 563 nuk ka ndryshime në deklarim, në 340 janë vërejtur ndryshime, në 115 raste ka pasur kallëzim penal, ndërsa një rast është përcjell në ATK”, tha ai.

Havolli foli edhe për rastet që i përkasin prokurimit publik.

“Ne gjatë vitit 2017 kemi pasur 48 raste të shkeljeve të prokurimit publik, kemi dhënë 14 opinione, janë mbyllur 22 raste dhe kemi dhënë 7 këshilla”, tha Havolli.

Në fund, drejtori i AKK-së, tregoi se janë trajtuar 166 raste të konflikt të interesit. “Agjencia Kundër Korrupsionit në vitin 2017 ka trajtuar 166 raste të konfliktit të interesit, nga këto 79 raste ka pasur shmangie dhe në 21 rast nuk ka pasur konflikt”, përfundoi Havolli.

Sipas Ligjit të Deklarimit të Pasurisë, nga data 1 marsi ka filluar deklarimi i pasurisë, i cili pritet të përfundojë më 31 mars. /Telegrafi/