Trump paralajmëron: Kina dhe Rusia do të përballeshin me pasoja nëse ndihmojnë Iranin

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se Kina dhe Rusia nuk po furnizojnë me armë Republikën Islamike të Iranit, duke thënë se këtë ia kanë konfirmuar personalisht liderët e të dyja vendeve.
Trump tha se gjatë takimit të fundit në Pekin, presidenti kinez Xi Jinping i ka premtuar se Kina, përfshirë edhe kompanitë kineze, nuk do t’i japë apo shesë armë Iranit “në asnjë rrethanë”.
“Duke marrë parasysh marrëdhënien tonë, unë i besoj fjalës së tij”, u shpreh Trump, duke shtuar se SHBA-ja po i bën Kinës “favore të mëdha”.
Ai gjithashtu deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë se Moska nuk do t’i shesë armë Teheranit, pavarësisht tensioneve ndërkombëtare dhe luftës në Ukrainë.
Trump theksoi se Rusia e kupton se SHBA-ja nuk po furnizon drejtpërdrejt Ukrainën me armë, por po shet armë vendeve të NATO-s, të cilat më pas vendosin për përdorimin dhe shpërndarjen e tyre.
Sipas Trumpit, dy fuqitë e mëdha që shpesh përmenden në lidhje me Iranin - Kina dhe Rusia - nuk janë të përfshira në furnizimin ushtarak të Teheranit. Ai paralajmëroi se një përfshirje e tillë do të ishte “shumë e keqe për ta” dhe nuk do të ishte në interesin e tyre.
Ndryshe, Irani ka bërë të ditur se po konsultohet në baza ditore me Kinën dhe Rusinë për luftën me SHBA-në dhe Izraelin. /Telegrafi/






































