Dele Alli sapo ka shënuar një nga golat më të mirë të karrierës së tij në Tottenham Hotspur, pasi gjeti rrjetën me një goditje të pabesueshme me gërshërë kundër Wolfsberger.

Mesfushori anglez ka hasur në vështirësi këtë sezon nën urdhrat e trajnerit Jose Mourinho, pasi po gjen hapësira të pakta.

Alli nuk po fillon thuajse asnjëherë ndeshjet në Ligën Premier, ndërsa mundësitë më të shpeshta i ka pasur në Ligën e Evropës.

Megjithatë, ylli anglez ka arritur të lë gjurmë në ndeshjen e sotme (e mërkurë) që Spurs po e zhvillojnë ndaj Wolfsberger, të vlefshme për fazën e 1/16-tës.

24-vjeçari ka shënuar një gol brilant në fillim të pjesës së parë, për të kaluar Tottenhamin në epërsi 1-0.

Mesfushori mori një top të mirë nga Matt Doherty dhe pasi e ndali pjesërisht atë, nga një top në ajër, shënoi një supergol me gërshërë. /Telegrafi/