LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Menaxhimi i dobët po e dërgon ndërmarrjen “Trepça” drejt kolapsit

Haradinaj: Menaxhimi i dobët po e dërgon ndërmarrjen “Trepça” drejt kolapsit

Janë bërë 34 vite nga greva e minatorëve të Trepçës. Këtë ditë e ka quajtur si aktin më të guximshëm dhe moment kthese për përpjekjen për liri, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, tregoi se gjatë mandatit të tij si kryeministër është votuar statuti i “Trepçës”, ku u regjistrua si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës.


“Greva e Minatorëve ishte akt i guximshëm e moment kthese në përpjekjet tona për liri. Kjo grevë u shndërrua në rezistencë gjithëpopullore, duke lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë”, ka shkruar Haradinaj, transmeton Telegrafi.

Haradinaj ka thënë se “mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të punëtorëve të devotshëm ishte rikthimi i Trepçës në burim jete. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të ‘Trepçës’ e regjistruam si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës”.

“Ky ishte hap kyç për t’i dhënë këtij aseti fuqinë për investime dhe gjenerim stabil të të hyrave dhe punësim dhe për ta rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit, të shtetit të Kosovës dhe të minatorëve”, ka shkruar Haradinaj.

​Java e Minatorëve, Kurti: Kombinatin Trepça ta kthejmë në një pasuri minerare
Lexo po ashtu ​Java e Minatorëve, Kurti: Kombinatin Trepça ta kthejmë në një pasuri minerare

Tutje Haradinaj tha se qeveria e tanishme e ka neglizhuar Trepçën, ku tani kjo ndërrmarje po ballafaqohet me mungesë të financave, me borxhe e prodhim minimal.

“Fatkeqësisht, qeveria e tanishme e ka neglizhuar këtë ndërmarrje. Sot, Trepça është duke u ballafaquar me mungesë të financave, me borxhe e prodhim minimal. Ndërkaq, punëtorët përballen me kushte të rënda pune, të ardhura tejet minimale e pa sigurim shëndetësor”.

Haradinaj tha se “menaxhimi i dobët këtë ndërmarrje po e dërgon drejt kolapsit. Nëse nuk intervenohet shpejt, gjendja do bëhet edhe më serioze”.

“’Trepça’ ka potencial ta rikthejë shkëlqimin e dikurshëm dhe të jetë krah i fuqishëm i ekonomisë sonë”, përfundoi ai.

Manifestimi tashmë tradicional “Java e Minatorëve” është mbajtur më 20 shkurt në Stantërg në shenjë përkujtimi të 34-vjetorit të grevës historike të minatorëve të Trepçës, e cila pati lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me këtë rast tha se nga një gjigant i fjetur, synojnë që këtë kombinat ta kthejnë në një pasuri minerare.

Kreu i ekzekutivit duke kujtuar ngjarjet e 34 viteve më parë, tha se komuniteti minerar i Mitrovicës me minatorët e Trepçës u kthye nga një grup punëtorësh prej djersës së të cilëve ndërtohej në të gjithë Jugosllavinë, në një kolektiv profesional të organizuar politikisht, nga i cili filloi edhe shpërbërja e kësaj bashkësie. /Telegrafi/