LAJMI I FUNDIT:

​Java e Minatorëve, Kurti: Kombinatin Trepça ta kthejmë në një pasuri minerare

​Java e Minatorëve, Kurti: Kombinatin Trepça ta kthejmë në një pasuri minerare

Manifestimi tashmë tradicional “Java e Minatorëve” ka filluar sot në Stantërg në shenjë përkujtimi të 34-vjetorit të grevës historike të minatorëve të Trepçës, e cila pati lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me këtë rast tha se nga një gjigant i fjetur, synojnë që këtë kombinat ta kthejnë në një pasuri minerare.


Kreu i ekzekutivit duke kujtuar ngjarjet e 34 viteve më parë, tha se komuniteti minerar i Mitrovicës me minatorët e Trepçës u kthye nga një grup punëtorësh prej djersës së të cilëve ndërtohej në të gjithë Jugosllavinë, në një kolektiv profesional të organizuar politikisht, nga i cili filloi edhe shpërbërja e kësaj bashkësie.

Sipas tij, sfida e të gjithëve për Trepçën dhe posaçërisht e Qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, ajo të kthehet në burim pasurish minerare.

Ai theksoi se toka dhe nëntoka e Kosovës janë fati i përbashkët i të gjithëve, ndërsa minatorët janë në qendër të kësaj historie, të tashmes dhe të ardhmes së përbashkët.

“Derisa e kujtojmë grevën e vitit 1989 të minatorëve të Trepçës, 34 vjet më pas, duke kujtuar kapacitetet e atëhershme të saj dhe intensitetin e nivelit të punës sot, sfida e të gjithëve për Trepçën dhe posaçërisht e qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, Trepça të kthehet në një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës të kësaj ndërmarrje përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore. Toka dhe nëntoka jonë janë fati ynë i përbashkët, ndërsa minatorët janë në qendër edhe të historisë tonë, por edhe të së tashmes dhe të ardhmes sonë”, ka thënë Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh të jetë krenare me arritjet e Trepçës gjatë dy viteve të fundit.

“Ne gëzohemi dhe jemi krenarë me arritjet e Trepçës gjatë këtyre dy viteve të fundit dhe zotohemi se do të vazhdojmë të përkrahim Trepçën në mënyrë që teknologjia e saj të modernizohet, performanca e saj të rritet dhe po ashtu mirëqenia e Mitrovicës dhe mbarë Kosovës të rritet”, theksoi Rizvanolli.

Enis Abdurrahmani, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Trepça”, ka potencuar se greva e minatorëve në kontekstin historik mund të cilësohet si rezistencë e dyfishtë, paqësore për të mbrojtur ekzistencën e shqiptarëve dhe si rezistencë e suprimimit të autonomisë së vendit.

“Në kontekstin historik greva e minatorëve të Trepçës mund të cilësohet si rezistencë e dyfishtë, fillimisht si rezistencë aktive paqësore për të mbrojtur ekzistencën e popullit shqiptar në periudhën e okupimit klasik nga Serbia dhe së dyti si rezistencë e suprimimit arbitrar të autonomisë së Kosovës”, u shpreh Abdurrahmani.

Se greva e greva e minatorëve të Trepçës ishte e para që nuk ka përmbajtur kërkesa sociale porse politike, e tha kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza.

“Për mua kjo ngjarje është edhe emocion, sepse si ish punëtor i kombinatit Trepça, si ish-pjesëmarrës i grevave të minatorëve, normalisht se është ndjenjë dhe emocion. Ka qenë ndër grevat e para që nuk ka përmbajtur kërkesa sociale, por politike”, tha Hamza.

Në anën tjetër, Gëzim Kalaja, kryetar i Sindikatës së minatorëve të Shqipërisë, ka deklaruar tre gjëra për të cilat tha se minatorët duhet të angazhohen dhe kërkojnë.

Ai përmendi kontratën kolektive, ngritjen e pagave dhe sigurimin, si dhe moshën e pensionit, për të cilat tha se minatorët duhet të luftojnë.

“Do deklaroj tre gjëra që ju duhet t’i keni: duhet të luftoni për lidhjen e kontratës kolektive që është Kushtetutë për ju, për ngritjen e pagave e sigurimin teknik dhe për moshën e pensionit dhe ngritjen e pagesës së pensionit”, tha ai.

Ndryshe, me rastin e këtij përvjetori, sindikata e punëtorëve të “Trepçës” ka organizuar aktivitete të ndryshme të cilat do të mbahen deri më 28 shkurt. /KP/