LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Kosova ende blen energji çdo muaj

Haradinaj: Kosova ende blen energji çdo muaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se projekti ‘Kosova e Re’ është avancuar në masë të madhe nga qeveria paraprake dhe ministrat e LDK-së janë konsultuar edhe në ditën e nënshkrimit dhe është marrë aprovimi për këtë projekt.

Në seancën ku në interpelancë është ministri i Zhvillimit Ekomomik, ai ka thënë se Kosova nuk duhet të jetë vetëm konsumator.


Shefi i ekzekutivit ka shtuar se nëse Kosova vazhdon me ble energji, ajo duhet të bëhet te vendi më i afërt, që është Serbia.

“Ende Kosova blen energji, çdo muaj, veç ndonjëherë kur kemi ndonjë periudhë si të verës e këto, por nëse i kemi ble, a i ka ble Kosova 650 milionë euro energji, dhe a bën me ju vet ku i kemi ble. Energjia është rrjet ndërkombëtar por ta japin prej atij që e ke më afër, ne e kemi marrë prej Kollubarës në Serbi energjinë. Përderisa nuk ke prodhim të qëndrueshëm, të folim sinqertë, nuk është ky projekti i përkryer se po e bënë me para tua në kushte tua, me një investitor, nuk i sjell askush 1 miliard e 300 milionë dollarë veç për hatër tëndin, po i sjell po ashtu që të fitoj investitori. Nëse vazhdojmë ne me ble energji dhe pas tre vitesh ku kemi me ble, kanë me ta jep për atij që është më afër teje, e ai më afër e dini kush është”, tha ai.

Lluka: Ndërtimi Termocentralit 'Kosova e Re', i domosdoshëm
Lexo po ashtu Lluka: Ndërtimi Termocentralit 'Kosova e Re', i domosdoshëm

Haradinaj ka thënë se nuk është në interes të Kosovës të jetë vetëm konsumator.

“A është interes i Kosovës që të vazhdoj me qenë vetëm konsumator, pse edhe ne mos me qenë njëfarë adrese e energjisë në rajon. Unë jam i vetëdijshëm që investitori nuk ka ardhur për bamirësi, por çka po ndodh me ne, unë e di po ashtu që ekziston një mafi e energjisë e cila ka blerë energji për Kosovën qe 20 vjet. Nuk është vetëm kombëtare, ndoshta është ndërkombëtare, e cila kish pas qejf edhe këto dyja me i mbyllur ne se ndotin shumë dhe hala pa pas ne prodhim, vetëm me rritë blerjen”, tha ai.

Ai tha se ky është investimi më i madh në historinë e pasluftës në Kosovë, investim privat që kalon 1 miliardë euro dhe se nuk është privatizim, por vetëm investim privat ku paraja nuk është e Qeverisë. /KP/Telegrafi/