LAJMI I FUNDIT:

Haliti: Për mua drejtorët nuk janë të shkarkuar, kërkoj sqarim nga Muhaxheri

Haliti: Për mua drejtorët nuk janë të shkarkuar, kërkoj sqarim nga Muhaxheri

Për përplasjet e fundit në koalicionin lokal LDK-PDK në Pejë, pas Gazmend Muhaxherit, ka folur edhe Xhavit Haliti-Kryetar i degës së PDK-së në këtë komunë.

Duke u thirrur në marrëveshjen e bashkëqeverisjes, në emisionin ‘Alo Mirëmëngjesi’ të Radio Dukagjinit, Haliti ka deklaruar se drejtorët nga subjekti i tij, i shkarkon kryetari i degës së PDK-së dhe jo ai i LDK-së.


Haliti ka kujtuar edhe bazat e ndërtimit të këtij kolaicioni në Pejë.

“Së pari koalicionin e kemi bërë në një moment shumë të rëndësishëm, kur pritej që të mos kishte aq kuorum për t’u konstituar Kuvendi i Pejës. Për t’i dhënë një shtytje konstituimit të organeve unë kam ndërrmarë një veprim që të bëjmë koalicioon me LDK-në. Kuptohet koalicioni ka funksionuar derisa unë dhe Gazmend Muhaxheri kemi bashkëpunuar për interes të qytetarëve dhe nuk kemi ndarë interesa as personale as në mes të partive. Veprimi për përjashtimin e drejtorëve nuk është në përputhje me marrëveshjen që kemi bërë dhe drejtorët i ngarkon ose i shkarkon kryetari i degës së Pejës dhe jo i LDK-së”, tha Haliti, transmeton Telegrafi.

Haliti më tej ka shtuar se për të, drejtorët në fjalë nuk janë të shkarkuar.

“Së pari Gazi për një veprim të tillë është dashur që të kërkojë takim me mua dhe ta arsyetojë veprimin e tij, në qoftë se është i arsyeshëm. Në qoftë se drejtorët e PDK-së janë të implikuar në shkelje të ligjit, në korrupsion, atëherë unë do ta arsyetoja. Por veprimi i njëanshëm i z.Muhaxheri, pa marrëveshje, mendoj ka qenë i ngutshëm, gjë që unë seriozisht jam duke e rishikuar se cili do jetë varinati i mundshëm pas ktij veprimi. Për mua drejtorët nuk janë shkarkuar”,deklaroi Xhavit Haliti.

“Unë dua arsyetimin, nëse i janë prishur dikujt planet për interesa personale, të caktuara, të cilat kanë të bëjnë me fusha që mbulojnë drejtoritë atëherë është ok. Por, unë kam pasur ankesa të vazhdueshme që Muhaxheri ka krijuar Drejtorate të dubluara, do të thotë drejtorët i ka nxjerrë jashtë lojës duke kriju mekanizma të dubluara në buxhetin e komunës dhe unë e kam arsyetuar këtë duke menduar se Gazmendi vërtet po përpiqet ta parandaloi mundësinë e krijimit të anarkisë në shpezimet e buxhetit komunal. Së shpejti do takohemi dhe t’i sqarojmë çështjet, nëse Gazmendi mendon që mund të veprojë kështu atëherë edhe kolaicioni s’ka asnjë arsye që të funksionojë”,ka shtuar Haliti.

I pyetur se kjo çështje a mund të reflektojë në raportet mes partive PDK-LDK në qendër, Haliti ka thënë se nuk e beson një gjë të tillë, porse ka kujtuar se disa projekte për Pejën janë miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe kjo duhet të jetë e qartë.

“Jo nuk e besoj se mund të reflektojë. Unë e di që një pjesë e projekteve janë miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe këto nuk mund t’i ndryshojë Gazi as Kuvendi Komunal i Pejës. Ndërsa, për të tjerat së pari duhet të merremi vesh dhe të jemi të informuar, para se të shkojmë në mbledhje. Dhe së dyti drejtorët duhet të jenë autonom brenda drejtorive të tyre”, ka përfunduar Haliti. /Telegrafi/