LAJMI I FUNDIT:

Abazi për Ramën: Nuk do të heshtim më karshi të deklaratave të tij, po e dëmton rëndë interesin e Kosovës

Abazi për Ramën: Nuk do të heshtim më karshi të deklaratave të tij, po e dëmton rëndë interesin e Kosovës

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi tha se nuk do të heshtin më karshi deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për Kosovën.

Abazi përmes një konference për media u shpreh se ekziston një qasje e rrezikshme mes Ramës dhe Vuciqit, duke theksuar se “Ballkani i Hapur ka rënë në një vdekje klinike, ndërsa procesi i Berlinit është duke u aktivizuar”.


“Pse ekziston një qasje e rrezikshme mes Ramës dhe Vuciqit? Qasja e rrezikshme nga Rama dhe Presidenti Vuçiq janë tri arsye: e para Rama nuk e njeh se kush është Vuçiqi, por më shumë dyshoj që Rama është pjesë e një rrjeti politik të Ballkanit, i cili po mbahet gjallë nga strukturat ekonomike – financiare të cilat kanë përfituar nga ekonomia e luftës dhe mandej kapitalin e njëjtë e kanë përdorur për privatizimin e aseteve publike shtetërore të Ballkanit Perëndimorë. E ky rrjet, ekonomik politik, e në raste edhe kriminal vazhdon të sfidojë ndryshimin përmbajtësor demokracitë në rajon”, tha ai.

Abazi tha se fjalimi i Ramës në Këshillin e Evropës, si dhe qëndrimi i tij për Ballkanin e Hapur e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë rëndë interesin e Kosovës.

“Mendoj që për një kohë të gjatë kemi heshtur, duke mos dashur që ta lëndojmë  marrëdhënien Shqipëri-Kosovë. Por deklarimet e fundit të Ramës nuk mund të kalojnë të heshtura me sepse siç e patë dhe nga fjalimi i Këshillit të Evropës ndërmjet ka thirrje për Kosovën, të cilat kanë dëmtuar seriozisht edhe avancimin integrues…Për Kosovën flasin institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e saj. Marrëdhënia Shqipëri-Kosovë nuk duhet të ndikohet nga agjenda politike, nuk e thash që është pjesë e rrjeteve kriminale, por strukturat politike nga Serbia në gjithë rajonin duke përfunduar në Maqedoninë e Veriut kanë jetuar të përkrahura nga një ekonomi e kriminalizuar që ka fituar nga ekonomia e luftës, mandej privatizimi”, tha ai.

Abazi tutje shtoi se nuk mund ta lënë Kosovën që të goditet çdo ditë nga Rama.

“Tentimi i kryeministrit që ai të bëhet avokati i politikanëve të Kosovës të cilët kanë humbur në zgjedhje dhe rrjedhimisht janë duke ju përgjigjur gjykatës ndërkombëtare me dizajnim të gjykatës ashtu siç kanë dashur ata, nuk mund ta lëmë fatin e Kosovës, duke e goditur për çdo ditë nga askush, përfshirë dhe kryeministrin Rama”, u shpreh Abazi.

Ai po ashtu ka folur edhe për krizën energjetike në vend që sipas tij duhet të veprohet urgjent për të vendosur Kosovën në binarët e një sistemi energjetik të qëndrueshëm.

“Dua të tërheq vëmendjen në pjesë të rëndësishme të raportit në lidhje me sektorin e energjisë, që në fakt janë në përputhje me deklarimet dhe kërkesat e mia që kam bërë. Raporti thotë qartë në shtyllën e katërt që është bërë progres i limituar në sektorin e energjisë, por Kosova ka mungesë serioze të strategjisë afatgjate dhe të qëndrueshme të energjisë”. /Telegrafi/