Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimet Pranverore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që po mbahen në Washington DC, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Anëtarja Joekzekutive e Bordit, znj. Latifi-Jashari, Zëvendësguvernatori z. Fusha dhe bashkëpunëtorë të tjerë, zhvilloi një takim me Drejtorin e Departamentit Evropian në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), z. Alfred Kammer.

Në këtë kuadër, gjatë takimit të përbashkët me pjesëmarrjen e Ministrit Murati, të mbajtur në formatin e FMN-së, Guvernatori Ismaili e njoftoi z. Kammer mbi zhvillimet më të fundit dhe performancën e sektorit financiar, stabilitetin financiar dhe avancimin e reformave strukturore. Ai theksoi se ekonomia e vendit ka vazhduar të shfaqë qëndrueshmëri përkundër sfidave të jashtme, duke u mbështetur në një sektor bankar të kapitalizuar mirë, me likuiditet të mjaftueshëm dhe me nivel të ulët të kredive joperformuese.


Ai nënvizoi rolin e politikave prudente dhe mbikëqyrjes efektive financiare në forcimin e besimit të publikut dhe në ruajtjen e integritetit të sistemit financiar. Me theks të veçantë u paraqitën indikatorët kryesorë që dëshmojnë qëndrueshmërinë e sektorit financiar, përfshirë raportet e kapitalit, cilësinë e aseteve dhe performancën e përgjithshme të institucioneve financiare.

Po ashtu, u diskutua progresi i arritur në implementimin e reformave strukturore, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së, të cilat synojnë avancimin e digjitalizimit të shërbimeve financiare dhe përmirësimin e kornizës rregullative. Ai theksoi gjithashtu përkrahjen e vazhdueshme të BQK-së ndaj nismave bashkëpunuese që synojnë forcimin e kapaciteteve institucionale në vendet pjesëmarrëse, duke veçuar iniciativën e FMN-së për krijimin e Qendrës Rajonale të Asistencës Teknike (SEETAC).

Z. Kammer vlerësoi progresin e arritur nga BQK në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe Kosovës, veçanërisht në fushat që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe forcimin e funksionimit të sistemit financiar.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së nëpërmjet asistencës teknike dhe programeve të ndryshme, të cilat kanë kontribuar në forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së.

Në përfundim të takimit, meqë Z. Kammer pensionet së shpejti, në shenjë respekti për kontributin dhe punën e tij në mbështetje të BQK, Guvernatori Ismaili i dorëzoi një dhuratë simbolike për të vlerësuar dhe falënderuar për bashkëpunimin në funksion të përmbushjes së objektivave të përbashkëta ndërmjet BQK-së dhe FMN-së.