LAJMI I FUNDIT:

Grupi protestues “Asnji cent ma shumë!”: Kemi sulme të vazhdueshme mediale nga PSD-ja

Grupi protestues “Asnji cent ma shumë!”: Kemi sulme të vazhdueshme mediale nga PSD-ja

Grupi protestues “Asnji cent ma shumë!” thonë se po sulmohen nga PSD-ja: Ndërhyrjet nga partitë e dëmtojnë këtë kauzë qytetare

Grupi organizativ i protestave, “Asnji cent ma shumë”, të cilët janë ngritur kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike kanë reaguar duke thënë se po sulmohen vazhdimisht nga Partia Socialdemokrate.

Përmes një komunikate për medie, ata kanë bërë të ditur se nuk janë pjesë e protestës së nesërme, ndërkaq kritikuan PSD-në që nuk ka vendosur logon e tyre në postereat e ngjitur në qytet ku bëhet thirrje për protestë.

“Grupi i qytetarëve të organizuar nën parullën “ASNJI CENT MA SHUMË!”, informon publikun se protesta e ditës së shtunë nuk organizohet nga ta. Kjo protestë është e thirrur nga Partia Social-demokrate -PSD. Ky informim u bë i domosdoshëm pasi nëpër rrugët e Prishtinës janë ngjitur postera dhe janë shpërndarë fletushka me informatat e protestës të thirrur nga PSD, pa vendosur askund logon e tyre apo ndonjë shenjë tjetër identifikimi të tyre si organizatorë. Këtë gjë ne e lexojmë si akt të qëllimshëm i cili synon synon t’i konfuzojë qytetarët lidhur me organizimin e nesërm”, thuhet në reagimin e tyre.

Po ashtu ata shtojnë se vazhdimisht po ka sulme mediale nga PSD-ja, teksa thonë se ata po përpiqen të sabotojnë organizim qytetarë.

“Me këtë rast, ne shprehim gjithashtu shqetësimin për sulmet e vazhdueshme mediale të militantëve të PSD-së ndaj aktivistëve/eve dhe qytetarëve/eve të protestës “ASNJI CENT MA SHUMË!”. Gjatë kësaj jave ne e kemi parë një fushatë të egër të PSD-së për ta deligjitimuar organizimin kolektiv për ta kundërshtuar rritjen e energjisë, duke shpifur dhe keqinformuar publikun. Përveç propagandës mediale, PSD është angazhuar aktivisht në sabotimin e organizimit qytetarë rreth kauzës së mos-shtrejtimit të çmimit të energjisë, çka është duke na dëshmuar edhe një herë nevojën që kjo kauzë t’iu mbetet qytetarëve, e jo partive”, thuhet në komunikatë.

Tutje ata insistojnë që kauza e tyre të mbetet qytetarë dhe të mos përfshihen partitë politike në të.

“Ne insistojmë që kjo kauzë, aq esenciale për të gjithë/a ne, duhet të mbetet kauzë qytetare. Çdo ndërhyrje nga partitë politike do ta dëmtojë këtë kauzë, duke e shndërruar atë në mjet të rritjes elektorale dhe pazareve politike. Andaj, ne mbesim të vendosur/a që të vazhdojmë me organizimin dhe qëndresën tonë kundrejt kësaj padrejtësie e cila është duke na u kanosur. Protestat tona dhe përpjekjet për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë do të vazhdojnë deri në fitoren tonë. Kjo betejë na takon neve -qytetarëve, andaj ju ftojmë të gjithë/a që të na bashkoheni në organizim dhe në rrugë. Grupi organizativ i protestave: Asnji cent ma shumë”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/