Gruevski në Kërçovë, revoltohen maqedonasit (Video)

"E kuptoj zemërimin dhe revoltën te njerëzit pasi që ai është edhe zemërimi im edhe revolta ime. Ata kanë probleme tani, kanë sfida, ato janë edhe sfida dhe probleme të miat dhe prandaj jam këtu", deklaroi Gruevski.
"Erdha këtu në Kërçovë për dallim nga disa të tjerë të cilët nuk ishin as paraprakisht as tani dhe për dallim prej disave të cilët dëshirojnë të politizojnë. Unë jam këtu dhe do të vij përsëri", theksoi Gruesvki.
Qeveria, shtoi ai, edhe më tej do të vazhdojë të punojë për Kërçovën, të bëjë gjithçka që mundet për t'iu ndihmuar qytetarëve të Kërçovës.
"Ne mbetemi për Kërçovën. Qeveria në të ardhmen do të bëjë angazhime që t'ju ndihmojë këtyre njerëzve, të ketë më shumë vende të punës, ndërtime dhe investime në Kërçovë me qëllim që qytetarët ta marrin atë që e meritojnë, e ajo është jetë më cilësore", deklaroi Gruevski.
Situata, sipas tij, është krijuar në vitin 2004 kur u bashkuan pesë komuna në të cilat shqiptarë janë rreth 28 mijë, ndërsa maqedonas rreth 16 mijë.
Mediat opozitare paraprakisht kanë informuar se dhjetëra qytetarë maqedonas të këtij qyteti ishin tubuar para shtabit të VMRO-DPMNE për të shprehur revoltën ndaj kryeministrit Gruevski për shkak të dështimit dhe humbjes së Kërçovës.
Situata ishte tensionuar dhe se qytetarët kanë vazhduar të qëndrojnë të revoltuar dhe nevrikosur para shtabit partiak. Lajmi i parë nga A1on ka qenë se kryeministri i Maqedonisë dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski ishte bllokuar në shtabin e VMRO-DPMNE-së në Kërçovë.
Kryeministri Gruevski ishte bllokuar dhe se qytetarët theksonin se nuk do të lejonin largimin e tij përderisa ai ti sqaronte se si BDI e fitoi këtë komunë. “Tradhtar, shitës i komunës, spiun”, brohorisin qytetarët e tubuar para Shtabit, ndër të cilët ka edhe anëtar të VMRO-DPMNE-së. Por, për të shmangur këtë revoltë, mediat kanë raportuar se para shtabit janë sjellë disa punëtor të termocentralit “Osllomej” dhe se ata janë grumbulluar si turmë, me qëllim që gjatë largimit të Gruevskit, të evitohet revolta e turmës së të pakënaqurve.
Mediat raportuan se atmosfera ishte e tensionuar ndërsa pjesëtarët e njësitit special të policisë janë vendosur rreth kishës përballë selisë së Shtabit dhe Komitetit të VMRO-DPMNE-së. Pas mbërritjes së këtyre punëtorëve dhe që janë grumbulluar në afërsi të makinave zyrtare të kryeministrit, eskorta e tij dhe ai kanë arritur që të largohen nga Kërçova. Në një video të publikuar duket Gruevski duke u ngjitur me shpejtësi drejt makinës së tij, pa takuar qytetarët maqedonas të Kërçovës. /Telegrafi/


















































