Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve vëmendja rikthehet tek të drejtat në punë dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët, veçanërisht gratë në Kosovë.

Koordinatorja e Forumit Ekonomik të Grave të Kosovës, Saxhide Mustafa në një intervistë për Telegrafin ka theksuar se përkundër përparimeve të viteve të fundit, pjesëmarrja e grave në tregun e punës mbetet jashtëzakonisht e ulët.


Sipas saj, vetëm rreth 19 për qind e grave janë të punësuara, ndërsa rreth 76 për qind mbeten jashtë tregut të punës.

“Gratë përballen me barriera të shumta që nuk po adresohen nga politikëbërësit”, u shpreh Mustafa.



Ajo veçoi mungesën e çerdheve dhe qendrave të kujdesit si një nga pengesat kryesore, duke bërë që shumë gra të mbeten të lidhura me përgjegjësitë familjare.

Po ashtu, problem mbetet edhe mungesa e transportit të rregulluar dhe kushteve të sigurta në punë.

Mustafa ngriti shqetësimin edhe për diskriminimin në punësim, ku gratë ende pyeten për statusin martesor dhe planifikimin familjar gjatë intervistave të punës.

Një tjetër problem i theksuar është mungesa e zbatimit të Ligjit të Punës dhe mungesa e një fondi për sigurime shoqërore, që do të mbulonte lejen e lehonisë dhe atë prindërore.

“Politikëbërësit duhet të marrin përgjegjësi konkrete. Ky është borxh ndaj qytetarëve që paguajnë taksa”, theksoi ajo.

Ndër rekomandimet kryesore, ajo përmendi: rritjen e kapaciteteve të kujdesit për fëmijë, reformimin e Ligjit të Punës, fuqizimin e inspektoratit dhe krijimin e kushteve më të sigurta në vendin e punës.

Sipas saj, Kosova vazhdon të përballet me një nivel të ulët të pjesëmarrjes së grave në ekonomi, ku vetëm rreth 24% janë aktive në tregun e punës, ndërsa vetëm 19% janë realisht të punësuara.

Një dimension tjetër problematik siç tha ajo është korniza ligjore dhe zbatimi i saj.

Mustafa theksoi se Ligji aktual i Punës vazhdon të mos ofrojë zgjidhje adekuate për lejen prindërore dhe shpërndarjen e barrës së kujdesit mes prindërve.

Po ashtu, mungesa e një fondi funksional të sigurimeve shoqërore siç tha ajo "krijon pasiguri për punëtorët, veçanërisht në sektorin privat".

Mustafa thekson gjithashtu se diskriminimi gjinor vazhdon të jetë i pranishëm, si në procesin e rekrutimit ashtu edhe në vendin e punës, përfshirë rastet e ngacmimit dhe mungesës së sigurisë.

Një paradoks i theksuar në këtë kontekst është fakti se rreth 65% e të diplomuarve janë gra, ndërkohë që pjesëmarrja e tyre në tregun e punës mbetet shumë e ulët.

Në aspektin institucional, Mustafa tha se nevojitet një qasje më e koordinuar ndërmjet qeverisë, komunave dhe sektorit privat.

"Rekomandimet kryesore përfshijnë: krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të kujdesit për fëmijë, reformimin e Ligjit të Punës dhe përfshirjen e lejes prindërore, funksionalizimin e fondit të sigurimeve shoqërore, fuqizimin e inspektoratit të punës, dhe rritjen e organizimit sindikal në sektorin privat", tha ndër tjera Mustafa. /Telegrafi/