Turizmi gjeneroi mbi 248 milionë euro ndikim ekonomik gjatë vitit 2025


Unioni i Turizmit të Kosovës mirëpret publikimin e raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për Statistikat e Hotelerisë dhe Turizmit për vitin 2025, i cili konfirmon vazhdimin e trendit pozitiv të zhvillimit të sektorit të turizmit në vend.
Sipas njoftimit të Policisë thuhet se sipas të dhënave zyrtare të ASK-së, gjatë vitit 2025 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 762,836 vizitorë, prej të cilëve 39.3% ishin vizitorë vendorë dhe 60.7% vizitorë ndërkombëtarë.
"Numri i përgjithshëm i net-qëndrimeve arriti në 1,653,390, duke shënuar rritje të vazhdueshme krahasuar me vitin paraprak. Duke u bazuar në të dhënat e net-qëndrimeve dhe në një vlerësim mesatar prej 150 eurosh shpenzim për vizitor për çdo 24 orë qëndrimi në Kosovë, rezulton se gjatë vitit 2025 sektori i turizmit ka gjeneruar një ndikim ekonomik të vlerësuar prej rreth 248,008,500 euro", thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se kjo shumë përfaqëson kontributin e drejtpërdrejtë të vizitorëve në ekonominë e vendit përmes shpenzimeve në akomodim, gastronomi, transport, tregti, aktivitete kulturore, rekreative dhe shërbime të tjera turistike.
"Këto rezultate dëshmojnë se turizmi po shndërrohet në një nga sektorët më dinamikë dhe me potencialin më të madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Unioni i Turizmit të Kosovës vlerëson se këto rezultate janë dëshmi e punës së përbashkët të sektorit privat, organizatave profesionale të Turizmit dhe institucioneve publike", thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim rritja e numrit të vizitorëve dhe e ndikimit ekonomik të turizmit duhet të shërbejë si motiv shtesë për investime të reja në infrastrukturën turistike, promovimin ndërkombëtar të Kosovës, zhvillimin e produkteve turistike dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve.
"Andaj, Unioni i Turizmit të Kosovës i bën thirrje Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, si dhe të gjitha institucioneve relevante në nivel qendror dhe lokal, që të rrisin angazhimin dhe mbështetjen për promovimin dhe zhvillimin e mëtejmë të industrisë së turizmit, duke e trajtuar atë si një sektor strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit", bëhet e ditur në njoftim.
Siç thuhet në njoftim UTK mbetet e përkushtuar që të kontribuojë në këtë drejtim përmes bashkëpunimit të ngushtë me institucionet publike, sektorin privat, partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të industrisë së turizmit dhe rritjes së konkurrueshmërisë së Kosovës si destinacion turistik.
Turizmi nuk është vetëm promovim i imazhit të Kosovës, por edhe një sektor strategjik që krijon vende pune, gjeneron të ardhura dhe kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. /Telegrafi/



































