Granit Bajraliu fitues i turneut të tenisit “Pavarësia” në Tiranë

Tenisti nga Kosova, Granit Bajraliu doli të jetë fitues i turneut në një konkurrencë mjaftë të fortë. Bajraliu në finale ishte më i mirë se Arbër Sulstarova, që momentalisht është tenisti më i mirë nga Shqipëria. Prishtinasi me një lojë shumë të mirë, me goditje precize dhe ofanzive triumfoi me rezultat 6:3, 6:4, raporton Spoti1.
Tenistët më të mirë nga Shqipëria tani më kanë vite që luajnë në Davis Cup apo në turne ndërkombëtare. Kosovarët në anën tjetër kanë qenë të izoluar dhe vetëm vitin e fundit kanë mundur të luajnë në turne individuale ndërkombëtare duke përfaqësuar Federatën Ndërkombëtare të Tenisit (ITF). Pranimi i Federatës së Tenisit të Kosovës pritet të ndodh në mars të vitit 2015 kur edhe mbahet ansambleja vjetore e Federatës Europiane të Tenisit
Tenistët nga Kosova treguan lojëra shumë të mira në turneun Pavarësia. Vlen të përmenden fitoret e Durim Morinës ndaj Kevin Kacelit me rezultat 6:0, 6:4 dhe Burim Bytyqit ndaj Martin Hysenbregasit 6:4, 7:6. Tenistët e rinjë Osman Reçica, Meldin Mustafi dhe Sefer Jakupi duke kaluar nga një gjiro të turneut poashtu lanë përshtypje të mirë me lojën e treguar.
Përveç kategorisë së seniorëve turneu u mbajt edhe në kategorinë e veteranëve. Në këtë kategori plotësishtë dominuan tenistët nga Shqipëria. /Telegrafi/





















































