LAJMI I FUNDIT:

Gjykatësit kushtetues nuk pajtohen me vendimin për amnisti

Gjykatësit kushtetues nuk pajtohen me vendimin për amnisti

Gjykatësit kushtetues, Islam Dardhishta, Natasha Gaber-Damjanovska, Gzime Starova dhe Sali Murati, sot kanë dalë me mendim mospajtues për ndryshimet e ligjit për amnisti, që Gjykata Kushtetuese solli vendim më 16 mars, me të cilën kryetarit të shtetit i mundësohet që t’i amnistojë të dënuarit për mashtrime zgjedhore, pedofili dhe tregti me drogë, njofton Portalb.

Në mendimin mospajtues, gjykatësit kanë shkruar se ndryshimet në ligjin për amnisti janë plotësisht të pabaza në aspektin e vlerësimit në lidhje me Kushtetutën.


Sipas gjykatësve kushtetues, Gjykata Kushtetuese drejtpërdrejtë e shkelë parimin e ndarjes së pushtetit nga neni 8, paragrafi 1, alineja 4, duke i zgjeruar ingerencat e kryetarit të shtetit të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligje.

“Duke e pasur parasysh atë që zhvillimi tjetër kushtetues të kompetencave për amnisti në korniza të Kushtetutës nuk ka, është fare e qartë dhe e kuptueshme se Kushtetuta lë që të rregullohet me ligj gjithçka në lidhje me amnistinë. D.m.th. aspak nuk është arsyetuar qëndrimi i shumicës se ligjvënësi nuk ka autorizim kushtetues që ta rregullojë çështjen që ka të bëjë me organizimin e brendshëm dhe të punës së kryetarit të Republikës, duke pasur parasysh atë se Kushtetuta e lejon atë. Me këtë vendim Gjykata Kushtetuese drejtpërdrejt e shkelë parimin e ndarjes së pushtetit nga neni 8, paragrafi 1, alineja 4, duke i zgjeruar kompetencat e presidentit me Kushtetutë dhe ligj”, shkruhet në mendimin mospajtues të katër gjykatësve kushtetues. /Telegrafi/