Gjykata Supreme e Kosovës ka dalë me një sqarim publik lidhur me raportimet në media për vendimet gjyqësore që lidhen me tregun e lirë të energjisë elektrike.

Sipas Gjykatës Supreme, disa raportime që pretendojnë se “Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Supreme për tregun e lirë të energjisë dhe e ka kthyer çështjen në rishqyrtim” nuk i referohen aktgjykimit për liberalizimin e tregut të energjisë.


“Gjykata Supreme e Kosovës informon opinionin publik se raportimet sipas të cilave ‘Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Supreme për tregun e lirë të energjisë dhe e ka kthyer çështjen në rishqyrtim’, nuk i referohen aktgjykimit të Gjykatës Supreme me të cilin ishte aprovuar padia administrative e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike”, thuhet në sqarim.

Gjykata sqaron se vendimi i Kushtetueses ka të bëjë me një çështje tjetër gjyqësore.

“Për sqarim, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka të bëjë me një aktvendim tjetër të Gjykatës Supreme, përmes të cilit ishte hedhur poshtë si e palejueshme padia e një paditësi, me arsyetimin se akti i kontestuar nuk përmbante elementet e një akti nënligjor normativ dhe, rrjedhimisht, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin e tij në procedurë administrative”, thuhet më tej.

Në sqarim përmendet edhe vendimi për të cilin Gjykata Supreme kishte vendosur në favor të Odës Ekonomike të Kosovës.

“Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme kishte aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e OEK-së dhe kishte shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, si dhe nenin 2 të Udhëzuesit për ndryshimin dhe plotësimin e tij”, thuhet në komunikatë.

Gjykata thekson se ky vendim lidhet me çështje të veçanta juridike dhe nuk është objekt i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të cilin është raportuar.

“Për hir të informimit të drejtë, të saktë dhe të plotë të opinionit publik, ju ftojmë që ta publikoni këtë sqarim”, përfundon njoftimi i Gjykatës Supreme. /Telegrafi/