Gjilani ofron kurse falas për maturantët, rreth 200 nxënës në përgatitje intensive


Në Gjilan po zhvillohen kurse përgatitore falas për Testin e Maturës, ku po marrin pjesë rreth 200 maturantë të shkollave të mesme të komunës.
Sipas kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, këto kurse po mbahen në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti” dhe po shënojnë interesim dhe përkushtim të lartë nga nxënësit.
“Rreth 200 maturantë po marrin pjesë në këto kurse që po mbahen në Gjimnazin ‘Xhavit Ahmeti’, duke treguar përkushtim dhe interesim të madh për t’u përgatitur sa më mirë për Testin e Maturës”, ka thënë Hyseni.
Ai ka falënderuar Shoqatën e Matematikanëve dhe mësimdhënësit e gjuhës shqipe për kontributin e tyre në realizimin e këtyre kurseve.
“Falënderim i veçantë për Shoqatën e Matematikanëve dhe për mësimdhënësit e gjuhës shqipe, të cilët po japin kontribut të çmuar në mbajtjen e këtyre kurseve”, ka theksuar kryetari i Gjilanit.
Ndërkohë, ai u ka uruar suksese të gjithë maturantëve në përgatitjet për Testin e Maturës. /Telegrafi/



































