eksperti ad

Komuna e Kamenicës ka njoftuar se u mbajt ceremonia e diplomimit me rreth 200 semimaturantë të SHFMU “Fan Noli”, të cilët përmbyllën me sukses një etapë të rëndësishme të rrugëtimit të tyre arsimor.

Drejtori i Arsimit, Selami Klaiqi theksoi përkushtimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit për krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit, duke veçuar investimet dhe lehtësirat që po ofrohen për një shkollim cilësor në arsimin e mesëm.


“Diplomimi është një moment krenarie për secilin prej jush. Ju inkurajoj të vazhdoni rrugëtimin tuaj me përkushtim, sepse arsimi është investimi më i vlefshëm për të ardhmen. Si Drejtori Komunale e Arsimit do të vazhdojmë të krijojmë kushte dhe mundësi që çdo i ri të ketë qasje në arsim cilësor dhe zhvillim të plotë,” u shpreh drejtori Klaiqi.

Në emër të shkollës, drejtoresha Arbenita Rexha përgëzoi semimaturantët për suksesin e arritur dhe u uroi atyre shumë suksese në rrugëtimin e mëtejmë arsimor.

Ndërsa në emër të nxënësve, Moreja Keqmezi dhe Alman Hoti nga SHFMU “Fan Noli” kanë falënderuar mësimdhënësit, prindërit dhe të gjithë ata që i mbështetën gjatë viteve të shkollimit, duke shprehur mirënjohje për kujtimet dhe përvojat e çmuara të krijuara në bankat shkollore.

Në fund të ceremonia u përmbyll me shpërndarjen e diplomave, duke shënuar fundin e një kapitulli të rëndësishëm dhe fillimin e një etape të re për semimaturën e Komunës së Kamenicës. /Telegrafi/