Përfundon me sukses fushata e korrje-shirjeve në Kamenicë, u korrën 1,470 hektarë

Komuna e Kamenicës ka njoftuar se ka përfunduar me sukses fushata e korrje-shirjeve për vitin 2026, e cila ka nisur më 11 korrik me korrjen e sipërfaqeve të mbjella me elb, ndërsa më 14 korrik ka filluar korrja e grurit.
Sipas të dhënave të Komunës, fushata ka përfunduar më 9 gusht, ndërsa gjatë këtij viti janë korrur gjithsej 1,470 hektarë tokë bujqësore, e gjitha në sektorin privat.
Nga sipërfaqja e përgjithshme, 1,250 hektarë kanë qenë të mbjella me grurë, me rendiment mesatar rreth 4,000 kilogramë për hektar. Elbi është korrur në 70 hektarë, me rendiment mesatar prej rreth 3,500 kilogramë për hektar, ndërsa tërshëra në 100 hektarë, me rendiment mesatar rreth 2,300 kilogramë për hektar. Po ashtu, janë korrur edhe 50 hektarë me tritikale.
Sipas Komunës së Kamenicës, rendimentet e sivjetme kanë qenë pak më të mira krahasuar me vitin e kaluar. Në disa parcela janë evidentuar rendimente mbi 4,000 kilogramë për hektar, të cilat, ndër të tjera, janë ndikuar nga përgatitja dhe mirëmbajtja e tokës nga fermerët.
Në procesin e korrje-shirjeve këtë vit kanë qenë të angazhuara 29 autokombajna.
Fushata është zhvilluar në bazë të programit dhe planifikimit të hartuar nga Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural (DBPZHR), si dhe në përputhje me Rregulloren Komunale për Korrje-Shirje.
Komisioni përkatës ka kryer kontrollimin teknik të autokombajnave në terren dhe operatorët janë pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për plotësimin e kushteve minimale teknike, si dhe me njoftimet për procedurat e korrje-shirjeve dhe masat për mbrojtje nga zjarri.
Gjatë gjithë fushatës, Komisioni ka përcjellë nga afër procesin në terren, duke u fokusuar në respektimin e rregullave dhe rendit të korrjes, si dhe në cilësinë e punës, me qëllim të minimizimit të humbjeve të drithit.
Komuna e Kamenicës e ka vlerësuar fushatën e korrje-shirjeve për vitin 2026 si të suksesshme dhe në nivel të kënaqshëm, duke theksuar se gjatë gjithë procesit nuk është pranuar asnjë ankesë nga fermerët apo kombajnerët. /Telegrafi/









































