ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se të gjithë nxënësit që këtë vit do të regjistrohen në klasën e parë do të pajisen falas me çanta shkollore të kompletuara me materialet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor.

Përmes një postimi në Facebook, Rahimaj tha se komuna synon që dita e parë e shkollës të jetë sa më e veçantë për më të vegjlit.


“Shtatori do të fillojë ndryshe për nxënësit tanë. Çanta në shpinë, lapsi i parë në dorë, buzëqeshja në fytyrë dhe zemra plot kureshtje”, ka shkruar ai.

Sipas tij, secili nxënës i klasës së parë në Komunën e Kamenicës do të përfitojë pa pagesë një çantë të kompletuar me të gjitha materialet e nevojshme shkollore.

“Që ky moment të jetë edhe më i veçantë, çdo nxënës i klasës së parë në Komunën e Kamenicës do të pajiset falas me çantë shkolle të kompletuar me të gjitha materialet e nevojshme”, ka theksuar Rahimaj.

Ai ka shtuar se kjo iniciativë bazohet në përkushtimin e komunës për të mbështetur arsimin që në hapat e parë të nxënësve.

“Sepse ne besojmë se çdo rrugëtim i madh fillon me një hap të vogël dhe çdo ëndërr e madhe fillon nga banka e parë e shkollës”, është shprehur kryetari i Kamenicës.

Rahimaj ka njoftuar gjithashtu se nxënësit e klasave të tjera do t’i marrin çantat në shkollat përkatëse. /Telegrafi/