Hapet çerdhja “Filizat” në Koretin të Kamenicës

Hapja e çerdhes “Filizat” në Koretin është bërë e ditur nga Komuna e Kamenicës, e cila ka njoftuar se institucioni ka nisur të mirëpresë fëmijët e kësaj ane.
Me buzëqeshje dhe të shoqëruar nga prindërit, fëmijët nisën ditën e parë në çerdhen “Filizat”, e cila synon të ofrojë një ambient të sigurt dhe të përshtatshëm për edukim, socializim dhe zhvillim.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, nënkryetarja Arta Bajralija, drejtori i Arsimit, Selami Klaiqi, zyrtarë të kësaj drejtorie, stafi i çerdhes, prindër dhe fëmijë.
Drejtoresha e çerdhes “Filizat”, Merita Keqmezi, tha se hapja e këtij institucioni përbën një ditë të veçantë për komunitetin, duke theksuar rëndësinë e edukimit, ushqyerjes së shëndetshme dhe mirëqenies së fëmijëve.
“Sot është një ditë e veçantë dhe shumë e rëndësishme për ne sepse po hapim dyert e kësaj çerdheje, një hapësirë ku fëmijët do të rriten, do të mësojnë, do të luajnë dhe mbi të gjitha, do të ndihen të sigurt”, tha Keqmezi.
Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, tha se investimet në arsim dhe në mirëqenien e fëmijëve janë ndër projektet që e përmbushin më së shumti punën e një institucioni.
“Ndihem shumë i lumtur që sot jam në mesin tuaj, në një objekt të ri, model dhe me standarde bashkëkohore. Komuna jonë investon në shumë fusha të ndryshme, por ajo që na përmbush më së shumti janë investimet në arsim”, tha Rahimaj.
Ai bëri të ditur se pas më shumë se katër dekadash, Komuna e Kamenicës po funksionalizon çerdhen e dytë, duke e cilësuar atë si një institucion të domosdoshëm për familjet.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Selami Klaiqi, tha se hapja e çerdhes është dëshmi e përkushtimit institucional për krijimin e kushteve sa më të mira për fëmijët dhe familjet e Kamenicës.
“Hapja e kësaj çerdheje është një investim i drejtpërdrejtë në fëmijët tanë dhe në të ardhmen e tyre. Për ne, arsimi dhe edukimi fillojnë që në moshërat më të hershme”, deklaroi Klaiqi.
Çerdhja “Filizat” në Koretin do t’u ofrojë fëmijëve të kësaj ane mundësi për edukim, socializim dhe zhvillim në një ambient të sigurt dhe të përshtatshëm. /Telegrafi/





































