Gjilani me komunikatë zyrtare, kërkon tri pikët në tavolinë për ndeshjen me Dukagjinin - rreshton argumentet drejtuar FFK-së

Gjilani është duke kërkuar tri pikë nga ndeshja me Dukagjinin, duel i cili ishte i xhiros së 12-të në BKT Superligë, e që në fushë u mbyll 1-1.
Skuadra gjilanase ka lëshuar një komunikatë zyrtare, ku ka treguar se ka bërë një ankesë në FFK për këtë sfidë.
Gjilani është ankuar në inkuadrimin e Ahmed Januzit në lojë, futbollist që shënoi në këtë sfidë që u mbyll baras (1-1).
Sipas tyre lojtari në fjalë nuk ka pasur të drejt loje, ndërsa shtojnë se kanë dërguar ankesë në organet e FFK-së, por ende nuk kanë marrë përgjigje edhe pse afati ka kaluar.
Komunikata zyrtare e plot e Gjilanit
Sport Club “Gjilani” njofton opinionin se ka bërë ankesë zyrtare në lidhje me ndeshjen e xhiros së 12-të kampionale të zhvilluar ndaj Klubit Futbollistik “Dukagjini”. Ankesa i është drejtuar komisioneve përkatëse në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe është e bazuar në të gjitha predispozitat ligjore, teksa konsideron si të parregullt inkuadrimin e Ahmed Januzit, futbollist i skuadrës së Dukagjinit për disa arsye ligjore: – Futbollisti në fjalë ishte dënuar me dy ndeshje moslojë nga Komisioni Disiplinor i FFK-së me rastin e ndëshkimit direkt me karton të kuq në duelin e xhiros së dhjetë kampional ndaj KF Ballkani; – Ankesa e Klubit Futbollistik “Dukagjini” ka ardhur pas afateve ligjore, pasi që futbollisti në fjalë nuk është inkuadruar në xhiron e radhës ndaj KF Drenica dhe nuk është trajtuar fare si rast nga organet e FFK-së; – Komisioni i Apelit nuk ka konfirmuar asnjë mbledhje për të shqyrtuar nëse ka patur ndonjë ankesë apo jo, për më tepër ka konfirmuar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur; – Vendimi për faljen apo zbutjen e dënimit nga dy ndeshje në një ndeshje ka munguar dhe nuk është prezantuar në ditën e ndeshjes (30/10/2021) nga KF Dukagjini dhe për këtë është informuar edhe delegati i ndeshjes ztr. Flamur Bytyqi nga ana e përfaqësuesve zyrtar të SC Gjilani; – Vendimi për faljen apo zbutjen e dënimit nuk gjendet në buletinin zyrtar, i cili i’u dërgohet klubeve apo edhe faqen zyrtare të FFK-së (Siç e precizon edhe Neni 84 – Propozicionet e Garave 2021/22);
/Telegrafi/






















































