LAJMI I FUNDIT:

Gjiganti Korean para-kualifikohet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”

Gjiganti Korean para-kualifikohet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”

E listuar në top 100 brendet botërore nga revista prestigjioze Forbes nga Franca, Hyundai Group nga Korea Jugore, është pjesë e grupit të kompanive të parakualifikuara nga Contour Global dhe Qeveria e Republikës së Kosovës për ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re”, që pritet t’i sjellë vendit pavarësi energjetike dhe furnizim të rregullt me energji elektrike.

Hyundai Group, konglomerati gjigant nga Korea Jugore, është formuar në vitin 1947. Grupi është i famshëm në botë për ndërtimin e anijeve, të termocentraleve, prodhimin e makinave, shërbime financiare dhe prodhimin e pajisjeve elektronike. Pas vdekjes së themeluesit Chung Ju-yung në 2001, kompanitë përbërëse të Hyundai u ndanë në kompani të ndara.

Së fundmi, Hunday ka përfunduar me sukses projekte të ndërtimit të gjeneratorëve të energjisë me kapacitet prej 16,000 megavat, që kapin vlerën prej 12.7 miliardë dollar. Projekte të ngjashme me atë të “Kosovës së Re” Hyundai ka implementuar edhe në shtete si Arabia Saudite, Indonezia, Bangladeshi, dhe në shumë shtete të lindjes së mesme.

Kompanitë më prestigjioze ndërkombëtare kanë kaluar fazën para-kualifikuese për kontratën e inxhinierisë, prokurimit dhe ndërtimit të termocentralit Kosova e Re. Redaksia mëson se Contour Global dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kishin përcaktuar kritere të ashpra për kompanitë e interesuara në fazën para-kualifikuese për kontratën e ndërtimit të termocentralit.

Sipas njoftimit, gjigantët botëror sikurse General Electric nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mitsubishi nga Japonia, Hyundai nga Korea Jugore dhe konsorciumi CMEC nga Kina, janë pjesë e listës së kompanive të parakualifikuara nga Contour Global dhe Qeveria e Kosovës për këtë kontratë.

Për pjesën e ndërtimit, ofertuesit kanë paraqitur propozimet e tyre për markat e ndryshme të shquara botërore të teknologjisë që do të përdoren (turbinat, gjeneratorët, dhe pjesët e tjera elektrike), të tilla si Doosan, General Electric, Mitsubishi Hitachi Power Systems, Rafako, Siemens dhe Toshiba, si dhe shërbime afatgjata të mirëmbajtjes nga Alstom Power Service; General Electric; KEPCO; konsorciumi i KEPS, HPS, dhe OES; dhe një konsorcium i Mitsubishi Hitachi Power Systems, ENKA, dhe Tecnicas Reunidas.

Termocentrali “Kosova e Re” pritet të sjellë investimin më të madh të pasluftës në Kosovë. Sipas njoftimit termocentrali i bazuar në teknologjinë më moderne në treg, do të zvogëlojë ndotjen nga termocentrali Kosova A duke zëvendësuar atë, dhe do të prodhojë energji me efiqiencë të lartë dhe ndikim minimal në mjedis. /Telegrafi/