Juventusi ka hyrë fuqishëm në garën për mesfushorin gjerman Angelo Stiller, duke rivalizuar klube të mëdha si Real Madrid dhe disa skuadra të Ligës Premier.

Stiller ka qenë një nga lojtarët më të dalluar të Stuttgartit këtë sezon, duke u shndërruar në një figurë kyçe në mesfushë falë kontrollit të lojës dhe saktësisë në pasime.


Sipas raportimeve nga mediat italiane, përfshirë Tuttomercatoweb, drejtues të Juventusit kanë zhvilluar tashmë kontakte fillestare me përfaqësuesit e lojtarit për të marrë informacione mbi një transferim të mundshëm.

Trajneri Luciano Spalletti e sheh Stiller si një përforcim ideal për rindërtimin e mesfushës së “Zonjës së Vjetër”, ndërsa klubi po përgatit një verë me ndryshime të rëndësishme në skuadër.

Nga ana tjetër, interes për 25-vjeçarin kanë shfaqur edhe Manchester United dhe Chelsea, gjë që pritet ta rrisë konkurrencën për shërbimet e tij.

Stuttgart e ka të lidhur Stillerin me kontratë deri në vitin 2028, por klubi gjerman mund të pranojë negociata në rast të një oferte të rëndësishme financiarisht.

Me interesimin në rritje nga klubet elitare evropiane, Stiller pritet të jetë një nga emrat më të nxehtë të merkatos së verës. /Telegrafi/

telegrafi sport app