Bayern Munich ka shtuar interesimin për Reben Neves, mesfushorin portugez të Al-Hilal, i cili pritet të jetë një nga emrat më të diskutuar të merkatos së ardhshme verore.

Sipas gazetës spanjolle AS, kampionët e Gjermanisë janë mes klubeve që po monitorojnë nga afër situatën e lojtarit, në rast se ai nuk rinovon kontratën aktuale që skadon këtë verë.


Bavarezët tashmë kanë zhvilluar bisedime joformale me përfaqësuesit e Neves, duke iu bashkuar interesimit të klubeve si Manchester United, Atletico Madrid dhe Juventusi, të cilët gjithashtu po ndjekin zhvillimet rreth së ardhmes së 28-vjeçarit.

Nga ana tjetër, Al-Hilal ka reaguar duke i paraqitur Neves një ofertë të re deri në vitin 2028, e cilësuar si “e papërmbajtshme”, që përfshin një rritje të ndjeshme të pagës.

Sipas raportimeve, ka sinjale të forta se mesfushori mund ta pranojë këtë ofertë, me një marrëveshje joformale që do t’i lejonte atij të largohej nga klubi saudit në verën e vitit 2027.

Megjithatë, 63-herë reprezentuesi i Portugalisë ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Gazeta britanike Times raportoi së fundmi se Neves synon një rikthim në Liga Premier, ku kishte lënë gjurmë me Wolverhampton Wanderers. Për një transferim të mundshëm, po përmendet një shifër rreth 20 milionë euro.

Neves thuhet se i është ofruar edhe Real Madridit kohët e fundit, por gjigantët spanjollë kanë vendosur të mos ecin përpara me këtë opsion. Ndërkohë, nga 1 janari, mesfushori ka të drejtë të negociojë lirshëm me klube të tjera pa pëlqimin e Al-Hilal dhe të nënshkruajë një kontratë që do të hyjë në fuqi verën e ardhshme.

E ardhmja e Rúben Neves mbetet e hapur, mes ofertës luksoze nga Arabia Saudite dhe dëshirës për t’u rikthyer në elitën e futbollit evropian. /Telegrafi/

telegrafi sport app