Gjermania reagon ndaj videos së publikuar nga ministri izraelit: E tmerrshme, e papranueshme, e neveritshm

Gjermania ka dënuar ashpër një video të krijuar me inteligjencë artificiale nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ku paraqiten të burgosur palestinezë në një shirit transportues.
Kritikët i kanë krahasuar pamjet me skena nga kampet naziste të përqendrimit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Giese, tha në Berlin se e kishte parë videon kontroverse.
“Me sa di, ndërkohë është fshirë, por kjo nuk e bën më pak të tmerrshme. Natyrisht, kjo është plotësisht e papranueshme. Është e tmerrshme”, deklaroi Giese.
Ai theksoi se Gjermania “e kundërshton qartë” politikën dhe mënyrën e shprehjes së Itamar Ben-Gvir, duke shtuar se qëndrimi i Berlinit për këtë çështje është “plotësisht i qartë”.
Ben-Gvir ka hequr nga profilet e tij në rrjetet sociale dy video që shkaktuan reagime të forta për mënyrën se si paraqiteshin të burgosurit palestinezë.
Në njërën prej videove, të publikuar të dielën e kaluar, shfaqen të burgosur palestinezë mbipeshë në një sallë gjyqi. Mbi ta paraqiten flluska grafike që sugjerojnë se ata mendojnë për arsimimin, ushqimin apo nargjilen.
Më pas, një version i animuar i Ben-Gvir shpon këto flluska dhe shtyp një buton të kuq, duke aktivizuar një shirit transportues që i çon të burgosurit përmes një dere.
Pas kalimit nëpër derë, të njëjtët persona shfaqen të uritur, duke qarë dhe me kokën të ulur. Pamjet shkaktuan kritika të ashpra dhe u krahasuan me skena nga kampet naziste të përqendrimit. /Telegrafi/



































