Gjermania me përmbysje spektakolare siguron triumfin ndaj Bregut të Fildishtë


Gjermania ka arritur një përmbysje dramatike në minutat e fundit për të mposhtur Bregun e Fildishtë me rezultat 2-1, në ndeshjen e Grupit E të Kupës së Botës 2026.
Sfida nisi me ritëm të lartë, ku të dyja skuadrat treguan intensitet dhe guxim në sulm. Gjermania krijoi rastin e parë serioz me Kai Havertz, por goditja e tij me kokë u ndal nga portieri Yahia Fofana.
Në minutën e 21-të, Aleksandar Pavlovic mendoi se kishte kaluar “Die Mannschaft” në epërsi, por goli u anulua për faull në aksion.
Pas një kundërsulmi të shpejtë, Bregu i Fildishtë arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 30-të. Franck Kessie përfitoi nga një top i kthyer brenda zonës dhe e dërgoi në rrjetë për 0-1, duke i dhënë avantazhin skuadrës afrikane.
Në pjesën e dytë, Gjermania reagoi fuqishëm dhe bëri disa ndryshime taktike nga Julian Nagelsmann, duke rritur presionin në zonën kundërshtare.

Barazimi erdhi në minutën e 68-të. Nadiem Amiri harkoi saktë në zonë, ku Deniz Undav kontrolloi topin dhe finalizoi bukur për 1-1, duke rikthyer ekuilibrin në ndeshje.
Në minutat e fundit, Gjermania shtoi edhe më shumë presionin dhe kërkoi me ngulm golin e fitores. Rasti më i mirë erdhi në minutën e 90+1, por Amiri humbi një mundësi të artë nga afërsia.
Kur ndeshja po shkonte drejt barazimit, erdhi momenti vendimtar në minutën e 94-të.
Deniz Undav u gjend sërish në vendin e duhur dhe e dërgoi topin në rrjetë për golin e fitores 2-1, duke kompletuar përmbysjen e madhe të Gjermanisë./Telegrafi/



































