Gjashtë vite pas fiaskos, Princi Harry dhe Meghan Markle po përgatiten të rikthehen në Mbretërinë e Bashkuar për të jetuar

Princi Harry dhe Meghan Markle pritet të rikthehen në Mbretërinë e Bashkuar në fund të këtij muaji, ku raportohet se do të qëndrojnë për një periudhë më të gjatë. Sipas Page Six, edhe fëmijët e tyre, princi Archie dhe princesha Lilibet, pritet të ndjekin shkollën në Britani.
Një burim i ka thënë Page Six se Pallati Mbretëror është në dijeni të planeve të çiftit dhe se mbreti Charles III ishte informuar të dielën për rikthimin e dukës dhe dukeshës së Sussex-it.
Një tjetër burim pretendon se pikërisht Charles është një nga arsyet kryesore pas këtij rikthimi.
Mbreti 77-vjeçar thuhet se është i lumtur që do të ketë mundësi të kalojë më shumë kohë me Harryn, 41 vjeç, dhe Meghanin, 45 vjeç, por vetëm në aspektin privat. Ai ka bërë të qartë se statusi i tyre nuk do të ndryshojë: ata do të vazhdojnë të jenë persona privatë dhe pjesëtarë të familjes mbretërore pa detyra zyrtare.
Charles, i cili në shkurt të vitit 2024 njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer, vazhdon të ndjekë rregullin e vendosur nga nëna e tij e ndjerë, Mbretëresha Elizabeth II, sipas të cilit anëtarët e familjes mbretërore nuk mund të jenë “pak brenda dhe pak jashtë” institucionit, pra të kryejnë vetëm pjesërisht detyra zyrtare.
Sipas The Sun, i cili ishte ndër mediat e para që raportoi për rikthimin e tyre, Harry dhe Meghan do të jetojnë në një rezidencë që nuk është në pronësi të familjes mbretërore.
Nga Britania, çifti pritet të vazhdojë të punojë në projektet e tyre të biznesit dhe aktivitetet personale.
Harry dhe Meghan njoftuan në janar të vitit 2020 se do të tërhiqeshin nga detyrat si anëtarë të lartë të familjes mbretërore dhe do të zhvendoseshin në Montecito të Kalifornisë.

Në atë kohë, ata deklaruan se dëshironin të bëheshin financiarisht të pavarur dhe të krijonin një rol të ri, ndërsa vazhdonin të mbështesnin Mbretëreshën Elizabeth II, e cila ndërroi jetë dy vite më vonë.
Çifti kishte njoftuar gjithashtu se do të jetonte mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Amerikës së Veriut, në mënyrë që djali i tyre Archie, tashmë shtatë vjeç, të rritej duke ruajtur lidhjen me traditat mbretërore, ndërsa familja do të kishte mundësinë të ndërtonte një kapitull të ri të jetës.
Ndërkohë, familja u zgjerua me ardhjen në jetë të vajzës së tyre, Lilibet, e cila tashmë është pesë vjeçe.
Në mars të vitit 2021, Harry dhe Meghan dhanë intervistën e bujshme për Oprah Winfrey.
Meghan deklaroi atëherë se kishte hyrë në familjen mbretërore në mënyrë “naive” dhe se vetëm më vonë kishte kuptuar se familja dhe njerëzit që drejtonin institucionin ishin dy gjëra të ndryshme.

Ajo pretendoi gjithashtu se nuk ishte mbrojtur dhe se disa persona ishin të gatshëm të gënjenin për të mbrojtur anëtarë të tjerë të familjes, gjë që, sipas saj, e kishte bërë të ndihej e vetmuar dhe e izoluar.
“Thjesht nuk doja të jetoja më”, rrëfeu Meghan, duke folur për presionin dhe vëmendjen e vazhdueshme të tabloideve britanike.
Një nga deklaratat që shkaktoi më shumë reagime ishte pretendimi i saj se disa anëtarë të familjes mbretërore kishin shprehur shqetësime për ngjyrën që mund të kishte lëkura e djalit të tyre, Archie.
Princi William reagoi shkurt duke deklaruar se familja e tyre “nuk është aspak një familje raciste”.
Ndërkohë, Mbretëresha Elizabeth II tha se e gjithë familja ishte e trishtuar nga përvojat e çiftit dhe se çështjet e ngritura prej tyre, veçanërisht ato që lidhen me racën, ishin shqetësuese. Megjithatë, ajo shtoi se “kujtimet për këto ngjarje mund të ndryshojnë”.
Harry dhe Meghan vazhduan të flisnin publikisht për familjen mbretërore edhe pas intervistës.
Në kujtimet e tij, Spare (Rezerva), të publikuara në vitin 2023, Harry akuzoi vëllain e tij William se e kishte sulmuar fizikisht, ndërsa pretendoi gjithashtu se babai i tij e kishte quajtur “rezervë” pas lindjes së tij, duke i dhënë edhe titullin librit.
Harry më vonë tha se nuk pendohej për asnjë prej rrëfimeve të bëra në libër dhe se ndihej i lehtësuar që kishte treguar historinë e tij.
Marrëdhëniet e Harryt dhe Meghanit me pjesën tjetër të familjes mbretërore, veçanërisht me Williamin dhe Kate Middleton, prej vitesh janë të tensionuara.
Kur çifti Sussex vizitoi Mbretërinë e Bashkuar në korrik të këtij viti, ata u takuan me mbretin Charles. Ky ishte takimi i parë pas katër vitesh mes Charles dhe nipërve të tij, Archie dhe Lilibet.

Me Williamin dhe Katen, megjithatë, ata nuk patën asnjë kontakt.
Gjatë viteve të fundit, Harry është kthyer disa herë i vetëm në Britani, ndërsa Meghan dhe fëmijët kanë qëndruar kryesisht në SHBA.
Vitin e kaluar, Harry i tha BBC-së se dëshironte të pajtohej me familjarët e tij, por se nuk ndihej i sigurt për të sjellë gruan dhe fëmijët në Britani, pasi gjykata kishte refuzuar apelimin e tij lidhur me mbrojtjen policore.
“Nuk mund ta imagjinoj një situatë në të cilën, në këtë moment, do ta sillja gruan dhe fëmijët e mi përsëri në Mbretërinë e Bashkuar”, ishte shprehur ai.
Megjithatë, këtë verë e gjithë familja udhëtoi drejt Britanisë. Përveç takimit me Charles, ata vizituan edhe Althorp, pronën familjare të princeshë Dianës në Northamptonshire, ku ndodhet edhe varri i saj.
Që prej largimit nga Britania, Harry dhe Meghan kanë jetuar me fëmijët në një vilë në Montecito, me vlerë rreth 14 milionë dollarë, ndërsa vitet e fundit janë përpjekur të ndërtojnë bizneset dhe markat e tyre.
Meghan ka realizuar disa podkaste, emisionin e gatimit të Netflix, With Love, Meghan, i cili mori edhe një nominim për Emmy, si dhe ka krijuar kompaninë e saj, As Ever.
Megjithatë, jo të gjitha projektet kanë rezultuar të suksesshme. Marrëveshja e tyre me Spotify, me vlerë 20 milionë dollarë, përfundoi në vitin 2023 pas vetëm një sezoni të podcastit të Meghanit, Archetypes. Ndërkohë, Netflix i dha fund partneritetit me Meghan në mars të këtij viti.
Komentatorja mbretërore Kinsey Schofield, pas një sërë vështirësish me projektet e tyre dhe rezultateve jo të mira të dokumentarit të Meghanit, Cookie Queen, së fundmi u ka sugjeruar çiftit që të “tërhiqen profesionalisht për një periudhë”.
Dhe rikthimi në Mbretërinë e Bashkuar mund t’u japë pikërisht këtë mundësi. /Telegrafi/














































