LAJMI I FUNDIT:

Garantimi i privatësisë, si mision qytetar

Garantimi i privatësisë, si mision qytetar

Jeton Arifi

Për një kategori të qytetarëve të Republikës sonë, nuk përbën më risi shënimi i ditës së njëzetetetë të janarit. Kjo datë, përkundër acarit që mund ta mbart më vete, me simbolikën e vet do të duhej të mbillte shpresë për një të drejtë thelbësore që na bën të bindur se kemi nën kontroll jetën tonë private.


Ka shtatë vite që Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e shënon Ditën Ndërkombëtare të Privatësisë. Aktivitetet që janë organizuar ndër vite për këtë datë, kanë pasur synim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për t’u bërë syçelë rreth kësaj të drejte. Zakonisht, në fokus kemi mbajtur shkollarët, pa i lënë anash as mësimdhënësit. Me këta të fundit, përmes Ministrisë së Arsimit kemi arritur që ta përfshijmë temën e privatësisë si pjesë përbërëse të procesit mësimor, të paktën një herë në vit. Ky është viti i tretë që shkollat tona kanë marrë përsipër që nxënësve të tyre t’u shpjegojnë rreth privatësisë, respektivisht të drejtave të tyre, duke mos lënë anash as këshillat se si të mbrohet kjo e drejtë (me theks të veçantë në internet).

Në rrafshin ndërkombëtar, një shtet konsiderohet se ofron mbrojtje adekuate të të dhënave personale të qytetarëve, nëse ka të themeluar dhe funksional një autoritet – si Agjencia që përfaqësoj unë; pastaj, matja e nivelit të vetëdijes së qytetarëve për këtë fushë dhe ajo e ndërgjegjësimit të kontrolluesve (institucionet e organizatat private që përpunojnë të dhënat tona) për të mos e shkelur privatësinë tonë, është relative.

Vite më parë, kur ky autoritet sapo ishte themeluar, qytetarët nuk e kishin idenë se ekzistonte apo se ku mund të drejtoheshin nëse pretendonin se po u shkelej privatësia. Sot, ankesat që i adresohen agjencisë në baza ditore, flasin për një përmirësim të dukshëm të vetëdijes qytetare lidhur me këtë fushë e cila, sado e parëndësishme t’i duket dikujt, privatësia – siç do ta përkufizonte romansierja amerikane Katherine Neville – është kërkesë themelore e jetës, siç është frymëmarrja e ngrënia.

Në rrethanat aktuale, autoritetit i cili do të duhej t’i bënte qytetarët të ndjehen më të sigurt për privatësinë e tyre, i mungon titullari kryesor që nuk do të ketë mundësi të përzgjidhet pa u miratuar projektligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, e i cili ka marrë dritën jeshile nga të gjitha komisionet parlamentare dhe që pret leximin e dytë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Hyrja në fuqi e këtij projektligji i jep Agjencisë mekanizmin konkret për të ndëshkuar shkelësit e qëllimshëm të privatësisë së qytetarëve – shqiptimin e drejtpërdrejtë të gjobave. Veç kësaj, Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, me kriteret e paracaktuara ofron mundësinë e përzgjedhjes së një figure jopolitike, profesionale, të paanshme e të përkushtuar në krye të këtij institucioni të pavarur.

Në të kundërtën, po vazhdoi zvarritja e këtij procesi, Agjencia rrezikon seriozisht të dështojë në përfitimin e një fondi prej dy milionë eurosh të ndarë nga Komisioni Evropian. Nga ky projekt binjakëzimi, më së shumti do të përfitonin zyrtarët për mbrojtjen e të dhënave personale, të akredituar brenda institucioneve publike dhe jo vetëm (duke marrë ekspertizë të jashtme dhe përvojën e ekspertëve të kësaj fushe nga një shtet anëtar i BE-së). Rezultati i prekshëm i jetësimit të këtij projekti, për qytetarët tanë do të reflektohej me mbrojtje më dinjitoze të të dhënave të tyre nga kushdo që përpunohen ato.

Ngrica e janarit duket se po pasqyrohet edhe në ngrirje të shumë proceseve në shumë sektorë të shtetit. Duke u uruar qytetarëve tanë paprekshmëri në jetën e tyre private, shpresoj që muaji shkurt të reflektojë te të gjithë ne energji pozitive për ta ndihmuar shkrirjen e kësaj ngrice të gjithanshme!

(Autori është drejtor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale)