Instituti GAP ka bërë të ditur se komunat e Kosovës kanë paguar gjithsej 126.6 milionë euro gjatë vitit 2025 për vendime gjyqësore dhe përmbarimore, shifër kjo që, sipas GAP-it, paraqet rritje prej 47 për qind krahasuar me vitin 2024.

“Komunat e Kosovës paguan 126.6 milionë € për vendime gjyqësore dhe përmbarimore në vitin 2025, një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2024”, thuhet në postimin e Institutit GAP në Facebook.


GAP ka renditur edhe disa nga burimet kryesore të këtyre obligimeve, duke përmendur kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi, vendimin qeveritar të vitit 2008 për pagesë shtesë bazuar në kualifikim, kompensimet për shujta, transport dhe inflacion për shërbyes civilë, vonesat në pagesa ndaj furnitorëve, si dhe projektet kapitale të dështuara.

“Kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi”, “vendimi qeveritar i 2008 për pagesë shtesë bazuar në kualifikim”, “kompensime për shujta, transport dhe inflacion për shërbyes civilë”, “vonesa në pagesa ndaj furnitorëve” dhe “projekte kapitale të dështuara”, janë disa nga arsyet e listuara nga GAP.

Instituti thekson se këto mjete financiare janë para të taksapaguesve që, sipas tij, shkojnë për të paguar “gjoba dhe detyrime ligjore”, në vend që të orientohen në investime dhe shërbime për qytetarët.

“Këto janë para të taksapaguesve që shkojnë për të paguar gjoba dhe detyrime ligjore të komunave, para që mund të ishin shpenzuar për rrugë, shkolla dhe shërbime për qytetarët”, thuhet në postim.

Sipas GAP-it, komunat me rritjen më të madhe të pagesave janë: Prishtina nga 10.6 milionë euro në 45.7 milionë euro (rritje 332%), Leposaviqi nga 168 mijë euro në 707 mijë euro (rritje 319%), Mamusha nga 51 mijë euro në 179 mijë euro (rritje 249%), Ferizaj nga 3.3 milionë euro në 8.2 milionë euro (rritje 153%) dhe Prizreni nga 5.6 milionë euro në 12.7 milionë euro (rritje 128%).

Ndërkaq, GAP ka bërë të ditur se disa komuna kanë arritur t’i ulin pagesat, duke përmendur Pejën me ulje 66%, Fushë Kosovën me ulje 41% dhe Dragashin me ulje 55%. /Telegrafi/