AKK: Për katër vjet komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbarimeve

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur shqetësimin dhe revoltën e thellë të komunave lidhur me barrën e papërballueshme financiare që po shkaktohet nga kontrata kolektive dhe vendimet gjyqësore që burojnë nga kjo kontratë.
Në takimin e Këshillit të Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, kryetarët e komunave kërkuan urgjentisht zgjidhje institucionale për këtë problem që po e rrezikon seriozisht stabilitetin financiar të pushtetit lokal dhe po dëmton drejtpërdrejt investimet dhe shërbimet për qytetarët.
Asociacioni i Komunave të Kosovës thekson se ka shterur pothuajse të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
AKK e ka dërguar çështjen e kontratës kolektive në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo Gjykata ka vlerësuar se nuk është kompetente për ta trajtuar këtë çështje.
Sipas AKK-së, mbi 26 komuna kanë iniciuar procedura gjyqësore në Gjykatat Themelore, ndërsa këto lëndë më pas janë bartur në Gjykatën Komerciale dhe ende nuk ka një zgjidhje konkrete.
Po ashtu, AKK thekson se ka zhvilluar dhjetëra takime dhe diskutime me nivelin më të lartë institucional në vend.
“Përkundër të gjitha këtyre përpjekjeve, deri më sot nuk është ofruar asnjë zgjidhje konkrete për komunat.
Madje, edhe në takimin e fundit të Komisionit të Granteve, kërkesat dhe shqetësimet e përfaqësuesve të komunave nuk u morën parasysh nga niveli qendror, duke vazhduar kështu qasjen neglizhuese ndaj problemeve reale financiare të pushtetit lokal.
Ndërkohë, dëmet financiare vazhdojnë të rriten alarmueshëm. Vetëm në periudhën 2022–2026, komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbarimeve, ndërsa vetëm në katër muajt e parë të vitit 2026 mbi 55 milionë euro”, thuhet në njoftim.
Sipas AKK-së, këto mjete janë larguar drejtpërdrejt nga investimet kapitale, infrastruktura lokale dhe shërbimet për qytetarët.
“Përballë mungesës totale të reflektimit institucional dhe mungesës së vullnetit për zgjidhje, kryetarët e komunave vlerësuan se komunave po u mbetet gjithnjë e më pak hapësirë veprimi institucional.
Prandaj, Këshilli i Kryetarëve vlerësoi se nëse institucionet qendrore vazhdojnë të heshtin dhe të mos ofrojnë zgjidhje konkrete, protesta mbetet forma e vetme demokratike dhe institucionale për mbrojtjen e interesit të komunave dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.
Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon urgjentisht: ndërhyrje institucionale dhe politike për zgjidhjen e problemit; krijimin e një mekanizmi kompensues për komunat; ndalimin e dëmtimit të mëtejmë të buxheteve komunale dhe trajtim të drejtë për pushtetin lokal, i cili po bart pasoja financiare për vendime që nuk janë marrë nga komunat. /Telegrafi/















































