AKK: Përfaqësuesit e komunave nuk e votuan Kornizën e Financimit Komunal 2027–2029

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka njoftuar se përfaqësuesit e komunave në Komisionin e Granteve nuk e kanë votuar dokumentin për Kornizën e Financimit Komunal 2027–2029, duke arsyetuar se ky dokument nuk parasheh asnjë mekanizëm apo mbështetje financiare për mbulimin e dëmeve dhe kostove që komunat po bartin nga kontrata kolektive dhe vendimet gjyqësore që burojnë nga ajo.
Sipas AKK-së, pavarësisht kundërshtimeve të përfaqësuesve lokalë, dokumenti është miratuar me votat e nivelit qendror, duke “mbivotuar” përfaqësuesit e komunave në Komisionin e Granteve.
“Përfaqësuesit e komunave në Komisionin e Granteve nuk e votuan dokumentin për Kornizën e Financimit Komunal 2027-2029, për shkak se dokumenti nuk parasheh asnjë mekanizëm apo mbështetje financiare për mbulimin e dëmeve dhe kostove të mëdha që komunat po i bartin nga kontrata kolektive dhe vendimet gjyqësore që burojnë nga kjo kontratë”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Asociacioni ka publikuar edhe të dhëna për ndikimin financiar të vendimeve gjyqësore dhe përmbarimeve, duke thënë se vetëm për periudhën 2022–2026 komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro, ndërsa “vetëm në katër muajt e parë të vitit 2026 mbi 55 milionë euro”.
“Vetëm gjatë periudhës 2022–2026, komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbarimeve, ndërsa vetëm në katër muajt e parë të vitit 2026 mbi 55 milionë euro. Këto mjete janë larguar kryesisht nga investimet kapitale dhe shërbimet komunale”, thuhet në njoftim.
AKK bën të ditur se takimi i Komisionit të Granteve është mbajtur sot dhe se komunat janë përfaqësuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, si dhe kryesuesi i Kolegjiumit për Financa në kuadër të AKK-së dhe njëherit drejtor i Buxhetit në Komunën e Gjakovës, Durim Halilaj.
Sipas AKK-së, dokumenti u miratua me votat e nivelit qendror, pavarësisht argumenteve dhe kërkesave të përfaqësuesve të komunave.
“Pavarësisht argumenteve dhe kërkesave të paraqitura nga përfaqësuesit e komunave, dokumenti u miratua me votat e nivelit qendror, duke mbivotuar përfaqësuesit e komunave në Komisionin e Granteve”, thuhet në njoftim.
Në reagim, Asociacioni ka kritikuar edhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, duke vlerësuar se ai nuk i ka mbrojtur interesat e komunave.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se edhe këtë herë z/Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk i mbrojti interesat e komunave, duke votuar kundër kërkesave të komunave të paraqitura në takimin e Komisionit të Granteve”, thuhet në njoftim.
Sipas AKK-së, komunat vlerësojnë se barra financiare e krijuar nga kontrata kolektive ka dëmtuar rëndë stabilitetin financiar të pushtetit lokal, ndërsa Korniza e Financimit Komunal 2027–2029, siç thuhet, “nuk adreson fare mbulimin e këtyre kostove dhe as kompensimin e komunave për dëmet e shkaktuara”. /Telegrafi/




















































