“Më 15 maj bëhen tre muaj që futbollistët nuk janë paguar. Është një krizë financiare, e cila besoj se do të përfundojë shumë shpejt. Pretendimet janë që obligimet të kryehen brenda javës apo më së largu javën e ardhshme”, deklaroi Kelmendi për gazetën.

Të ‘lidhur’ me fabrikën


Tutje, sekretari Abdullah Kelmendi ka njoftuar se problemi me financa i klubit ka ardhur pikërisht për shkak të problemeve që ka fabrika. “Meqenëse kemi kontakte me pronarin e klubit, neve na u është thënë se momentin që fabrika fillon të funksionojë, premtimet janë që edhe në klub të zhbllokohet gjithçka. Kjo pritet të ndodhë shumë shpejt”, shtoi Kelmendi. Sipas tij, e rëndësishme është se klubi nuk do t’i mbetet borxh asnjë futbollisti. “Klubi në asnjë mënyrë nuk do t’i mbetet borxh asnjë futbollisti, derisa premtimi i këtyre të fundit është se vonesa e pagave nuk do të reflektojë në stërvitje e as në ndeshje”, pohoi Kelmendi.

Llamkos Kosova deri para duelit të fundit me Fushë Kosovën kishte një seri të zezë pa fitore, mirëpo Kelmendi insiston se kjo ka ardhur për shkak të formës jo të mirë të ekipit në përgjithësi. Gjithsesi, vushtrriasit janë fare pranë ta fitojnë titullin e kampionit, të parin në histori të klubit.

“Futbollistët e kanë kuptuar situatën momentale dhe janë pajtuar me gjendjen edhe pse shumë shpejt do të përfundojnë të gjitha problemet dhe skuadra do të vazhdojë të realizojë objektivat që ka”, përfundoi Kelmendi.

Pavarësisht problemeve me paga, futbollistëve të ekipit vushtrrias të shtunën i është kthyer sado pak buzëqeshja, kur fituan derbin ndaj Fushë Kosovës me rezultat të thellë, 4:0. /SportPlus/Telegrafi/ 

telegrafi sport app