Të shtunën mbrëma në T-Mobile Arena të Las Vegasit do të përballen Tyson Fury dhe Otto Wallin. Ky duel nuk është për ndonjë titull, por 31-vjeçari e ka të caktuar më pas rimeçin me Deontay Wilder për titullin WBC në fillim të vitit të ardhshëm.
Ndërsa duke folur për përballjen e fundjavës, britaniku ka thënë se është i përqendruar te ky duel dhe nuk mendon për përballjen e radhës me kampionin e WBC-së, me të cilin barazoi në muajin dhjetor.
“Nuk jam i interesuar te Deontay Wilder apo ndonjë tjetër te divizioni i peshave të rënda. Unë po mendoj vetëm për Otto Wallin për të shtunën mbrëma”.
Tyson Fury dhe Otto Wallin (Foto: Ethan Miller/Getty Images/Guliver)
“Nuk mendoj aspak për muajin shkurt. Gjithçka është për të shtunën mbrëma, gjithçka ka të bëjë me ‘Gypsy King'”.
“Nuk ka të bëjë me shkurtin, apo Krishtlindjet apo Vitin e ri apo ndonjë ditë tjetër – e gjitha është për të shtunën mbrëma në Las Vegas”.
“Ditët janë një nga një në jetën time, meçet një nga një, orët një nga një – nuk po mendoj për duelet e të ardhmes”, ka theksuar Fury. /Telegrafi/
Deontay Wilder (Foto: Jack Thomas/Getty Images/Guliver)