LAJMI I FUNDIT:

Fuqia e letërsisë së magjistarit-autor

Fuqia e letërsisë së magjistarit-autor

Nga: Visar Zhiti

(Mbi romanin e shkrimtarit Bashkim Shehu, “Triptiku i magjistarëve”)


Këto ditë kam qenë i mbërthyer pas romanit “Triptiku i magjistarëve”, që vërtet ka magji letrare, që tej triptikut është një si pjesë e katërt, e thërrmuar te të tria pjesët, ajo e magjistarit-autor, që shpalos dije dhe sovranshëm zotëron gjithë atë lëndë, e parrokshme kollaj dhe në lexim…libri bashkim shehu

Kur e mbarova romanin, m’u krijua një si zgavër, si ai përfytyrimi për tokën zgavër që gjeta në faqet e tij. Është një vepër që ka gërryer ndodhi, fakte, fantazi, mister, ikje, gra, vrasje, mitologji, antikitet grek, Egjipt, Kremlin, tiranë, nazi-fashi-komunizëm, kontinentet e tyre, kontinente tiranësh dhe kohë tiranësh, vende qerthull, Austri, Gjermani, Rusi, Shqipëri, Kinë etj., një përthithje që s’ndal, edhe kur mbaron, s’ka mbaruar ende… dhe si vazhdim i gërryerjes që thashë, gërryen edhe lexuesin e saj, e ha, për t’i thënë se kështu të hanë, pa e kuptuar…

Lidhjet në roman janë fantastike, e vërteta aty është më fantastike, emrat e vërtetë e trallisin edhe më shumë gjendjen, në një si gjithëkohësi e gjithëvendësi e takimi me veten është i frikshëm, dyshon tek e tashmja se mos nuk je, veçse e ardhme e së shkuarës, pra s’je, ku je dhe do të jesh kur s’je etj., etj. I gjithë romani është i shkruar me një “ftohtësi” mjeshtërore, sikur të qorton, sikur të vë faj dhe pastaj të shfajëson. Vërtet është një risi, një prurje që mungonte, për aq sa di të paktën në letrat shqipe.