eksperti ad

Drejtoria për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës ka njoftuar se nga data 29 qershor 2026 do të fillojë ofrimi i shërbimeve esenciale kurative dhe i ndërhyrjeve të vogla kirurgjike në objektin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë.

Sipas njoftimit, shërbimi i ri do të funksionojë në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Familjare dhe do të përfshijë trajtimin e rasteve që kërkojnë ndërhyrje të vogla kirurgjike, përfshirë përpunimin, pastrimin dhe fashimin e plagëve dhe lëndimeve të lehta trupore.


“Ky shërbim do të ofrohet nga e hëna deri të premten, në periudhën kohore nga ora 08:00 deri në ora 13:00, në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Familjare, në objektin e QKMF-së Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Shëndetësi.

Nga kjo drejtori vlerësohet se funksionalizimi i këtij shërbimi paraqet një hap të rëndësishëm në përmbushjen e kompetencave të kujdesit parësor shëndetësor, duke lehtësuar qasjen e pacientëve në shërbimet e nevojshme mjekësore.

“Funksionalizimi i këtij shërbimi është i rëndësishëm si plotësim i kompetencave për të cilat kujdesi parësor shëndetësor është përgjegjës, si dhe lehtësim për pacientët të cilët kanë nevojë të marrin këto shërbime”, thuhet më tej në njoftim.

Drejtoria për Shëndetësi dhe QKMF “Dr. Nexhat Çuni” kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në avancimin dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore shëndetësore për qytetarët e Komunës së Mitrovicës. /Telegrafi/