LAJMI I FUNDIT:

Fundi i një tragjedie

Fundi i një tragjedie
Ilustrim

Në datën 24 mars 1999, forcat ajrore të NATO-s filluan bombardimet mbi caqet ushtarake të Sllobodan Millosheviqit. Avionët u nisën nga baza ushtarake e Avianos dhe skuqën qiellin e mugët të asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia. Menjëherë si reaksion kundër bombardimeve të NATO-s, në tokën e Kosovës u intensifikuan veprimet e kriminelëve serbë të Millosheviqit në formën më agresive të parë ndonjëherë, të cilat u shoqëruan me: deportime masive, shfarosje të popullsisë, djegie të banesave dhe pasurive, përdhunime dhe keqtrajtime, të cilat shkaktuan një shqetësim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Të parët që reaguan ishin amerikanët, të cilët caktuan bazën ushtarake Fort Dix në shtetin e Nju Xhersit, si një vend ku do të strehoheshin mijëra shqiptarë të Kosovës, të transportuar me mjete ajrore dhe prej aty do të shpërndaheshin nëpër gjithë Amerikën.

I përfshirë në grupin e punonjësve humanitarë amerikanë dhe të imigracionit, pata rastin që të pres grupin e parë të shqiptarëve të Kosovës, që zbritën në aeroportin ushtarak Fort Dix, në jug të shtetit të Nju Xhersit. Ishte data 5 maj 1999, kur u mblodhëm në atë bazë. Shumica ishin ushtarakë amerikanë, punonjës të Agjencisë së Imigracionit, agjenci ndihmash humanitare, shërbime të tjera, si dhe disa shqiptaro-amerikanë me qëndrim të ligjshëm në SHBA. Unë përfaqësoja Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, që e drejtonte ish-kongresmeni Joe DioGuardi.


Aeroplani i parë ushtarak “Boeing 747”, që kishte plot 453 shqiptarë të Kosovës, u ul rëndë-rëndë dhe mua më dukej sikur ai mbartte me vete tërë peshën e atij dheu që banohet prej shqiptarësh. Vërtet ai ishte shume i madh, por ngjyra e tij kaki-ushtarake, ngarkesa që kishte me vete dhe padurimi ynë për t’i parë, takuar, ndihmuar ata njerëz për të cilët ishim aty, e bënte atë të dukej shumë më i rëndë se pesha e tij e vërtetë fizike.

Aty prisnin mbi 100 kamera të qendrave më të mëdha televizive të botës, ndër to CNN dhe BBC.

Nuk vonoi dhe nga dera e avionit zbritën udhëtarët e parë. Ideja që na shkonte ndër mend ishte: Vallë, a do të zbresin dot nga shkallët? A janë ata aq të qëndrueshëm sa të arrijnë deri te qilimi i kuq i shtruar nga autoritetet shtetërore të Nju Xhersit, të cilët kishin vënë gjithçka në dispozicion të tyre?

Ata po zbrisnin dhe unë ndieja se si çdo shkallë e mëposhtme që ata shkelnin ishte një gong i ri, që bënte zbritjen regresive të popullsisë së Kosovës. Një, dy, tre, katër, dhjetë, njëqind, katërqind e pesëdhjetë e tre vetë i shkelën ato shkallë me hapin e tyre të rëndë, të lodhur e të dërrmuar… Katërqind e pesëdhjetë e tre shqiptarë më pak në dheun e tyre, vetëm në këtë aeroplan… Po edhe sa mijëra të tjerë kishin ikur në drejtime të tjera nëpër gjithë botën, deri në Australi dhe në Zelandën e Re?

Autobusët e kompanisë më të madhe amerikane të transportit tokësor të udhëtarëve, “Academy”, ishin rreshtuar fare pranë pistës. “Mysafirët”, siç i quajtën amerikanët, u ngjitën në autobusë, të cilët kishin ulur krikët e shasisë deri në një nivel me tokën, për t’ua lehtësuar atyre sadopak sforcon fizike të të ngjiturit në shkallët e autobusit. Karvani i autobusëve i transportoi ata njerëz, fytyrat e të cilëve ngjanin më shumë me portrete filmash me legjenda dhe personazhe, sesa me njerëz realë. Dikush e kishte quajtur udhëtimin e tyre “biblik”. Dhe i tillë ishte. As në Bibël, dhuna nuk i ka stërpikur njerëzit kaq larg!…

Në sallën e madhe të gjimnastikës së bazës ushtarake ishin instaluar lloj-lloj shërbimesh, si ato sanitare, shëndetësore, ushqimore, infermierë, mjekë, punonjës socialë, kryqi i kuq, vullnetarë, punonjës imigracioni, përkthyes të gjuhës shqipe, civilë, ushtarakë, agjentë të FBI-së e plot e plot të tjerë, të njohur dhe të panjohur. Mysafirëve iu ofruan pije freskuese pa fund, kafe, dekafe, çaj, fruta të çdo lloji, sandviçë pa mish derri. Secili prej nesh mbante një kartë identiteti në qafë dhe çdokush në mënyrën më njerëzore përkujdesej për diçka. Ndër ta, një të tillë e mbaja edhe unë me tim bir, Erionin. E gjitha kjo e përkushtuar për ata njerëz.

Salla u mbush. Njerëzit zunë vende nëpër shkallët e gjimnaziumit ushtarak. Ishin tejet të lodhur, të nxirë nga dielli, të drobitur nga rruga e gjatë dhe kushtet e tmerrshme, në të cilat kishin kaluar ditët dhe javët e fundit të jetës së tyre të deriatyshme.

Një pjesë e atyre, të cilët nuk rezistonin më, u shtruan në fushën e basketbollit nëpër barela ushtarake dhe filluan të merrnin serume. Nga altoparlanti dëgjoheshin thirrje të pandërprera të punonjësve socialë: “Ju lutemi shumë, merrni sa më shumë lëngje, pini lëngje sepse trupat tuaj janë dehidruar!” Një përkujdesje aq njerëzore, as që do ta kishin imagjinuar. Merrej me mend se çfarë kontrasti i jashtëzakonshëm ishte për ata njerëz, ky kalim sublimues nga ajo gjendje që kishin lënë prapa me këtë që kishin gjetur këtu.

Filluan procedurat e para. Tani secili kishte zënë një vend. Në sallë dhanë ballë: Zonja e Parë e Amerikës, Hillari Klinton; Guvernatorja e Shtetit të New Jersy-it, zonja Christine Todd Whitman;

Sekretarja e Shtetit për Shëndetësinë dhe Punën Sociale; senatorë, kongresmenë, si dhe autoritete lokale të Fort Dix-it.

Salla shpërtheu në duartrokitje. Ato dukeshin si të buta, pak të shurdhëta, si një daulle pak e shfryrë, si një def i panxehur; në to më dukej se dëgjoja diçka që nuk dëgjohet, më dukej se ndieja atë që nuk ndihet; të rrahurat e atyre duartrokitjeve kishin pak zë, por tingëllonin shumë. Dukej sikur ishin të akorduara në frekuenca të tilla që nuk dëgjohen afër. Dukej që secili donte ta bënte zhurmën e tij jo për vete, jo për atë që shihej, jo për atë që ndihej aty. Dukej se ata donin që ato duartrokitje të dërgoheshin matanë atyre mureve, matanë atij pylli rrethues, tutje, tutje diku ku ajo të dëgjohej jo më për ata vetë, por për ata që kishin lënë prapa; duhej të tërhiqnin vëmendjen për ata që ishin në male, të mbetur rrugëve, pa ushqim e veshmbathje; për ata që ishin në mëshirë të fatit.

Ai ngazëllim i venitur i atyre njerëzve që nuk dinin as të gëzoheshin dhe as të hidhëroheshin më, ishte tashmë i hedhur në atë sallë si një vello, ngjyrën e së cilës askush nuk di ta përcaktojë, e bardhë, e zezë, blu apo…ndoshta më së miri mund të quhet flu, e paqartë, e pandritshme, e shlyer.

Mbaroi edhe ceremonia. U tha se ju jeni njerëzit më të fortë në botë, se keni në krahë Amerikën që kurrë nuk do t’u lerë në baltë, se do të bëhet çdo gjë për ju dhe bashkëkombësit tuaj e plot e plotë të tjera… Tani do të fillonte procedura e parë elementare, marrja e identitetit të këtyre njerëzve, shumica e të cilëve nuk kishin asnjë lloj dokumenti për shkaqe të ndryshme, ndër të cilat kryesorja ishte se ato ua kishin grisur autoritetet policore serbe për t’i dëbuar, madje edhe pa emrat e tyre, ose në ikje e sipër as që u kishte vajtur mendja te një gjë e tillë.

Në rastet kur mungonte çdo dëshmi e identitetit, atëherë çështja kalonte nëpër një seancë marrjesh në pyetje. Ajo ishte një procedurë e thjeshtë, por më e vlefshmja për të kuptuar gjithë atë që kishte ngjarë në Kosovë. Këtu, njeriu mësonte aq shumë për thellësinë e tragjedisë dhe vuajtjes njerëzore. Këtu mësohej se si fëmija kishte parë prindërit tek i vriteshin, se si prindi e kishte parë fëmijën po kështu, se njeriu nuk ndihmonte dot njeriun e tij në çastet më të vështira të jetës, sepse as këtë nuk ia lejonin… Këtu dukej se sa e vyer është jeta kur e jeton në një vend të sigurt, ashtu sikundër mësoje se sa e pavlefshme bëhet ajo në çaste të caktuara. Këtu mësoje se si njeriu është gati t’i japë fund jetës në çdo çast, ndërkohë që lufton për ta mbrojtur atë me këmbë e me dhëmbë. Këtu, njeriu sheh jo figura të krijuara skenike që interpretojnë tragjedinë njerëzore, por vetë tragjedinë, vetë atë që dikush mundohet ta rikrijojë duke sjellë te njerëzit mesazhe të forta nëpërmjet emocionesh shokuese. Jo, në këtë vend nuk ke nevojë për aq shumë mundim aktorësh. Këtu, secili është aktori origjinal i një tragjedie njerëzore të shkaktuar mbi të thjesht për fajin se rasti ka bërë që ai të lindë i një feje, besimi dhe kombi të caktuar.

Në intervistat për gjetjen e identitetit, kalonin njëri pas tjetrit burra, gra, të rinj, të moshuar.

Tjetri, kush është tjetri në radhë? – thërrisnin oficerët e imigracionit.

Nga ajo datë deri më 10 qershor 1999, baza ushtarake e shtetit të Nju Xhersit, Fort Dix, priti 6.500 shqiptarë të Kosovës.

Sot, ata janë shtetas amerikanë. Shumë prej tyre kanë bërë emër në atë shtet të madh në fusha të ndryshme, shkencë, art, kulturë, mjekësi, biznes.

Nderim të përjetshëm atij vendi të madh!

Fort Dix, maj-qershor 1999-2020.