Jeta e ish presidentit të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, edhe më tej vazhdon të jetë një çështje që diskutohet, sidomos për nostalgjikët e ish-Jugosllavisë.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, gjithkush nga ta, dhe jo vetëm, do të donte të dinte se çfarë ai kishte dashur, me kë rrinte dhe çfarë lloj personi ishte në jetën private, kryesisht bashkëjetesa me gruan e tij, Jovanka.

Dhe po sipas medieve të huaja, edhe pse ajo ka thënë se ai ishte në fakt një burrë i mirë dhe i kujdesshëm, shumë kanë pasur gjithmonë dyshimet e tyre, rreth pretendimeve të saj.

“Kam qenë e rrethuar me kujdes të madh, dashuri të madhe. Nuk mund të ankohem në sjelljet e Titos ndaj meje. Ai ishte shumë i drejtë. Ai më donte shumë. Ai dinte të ishte aq i kujdesshëm. Shumë herë kam folur se si në më shumë se njëzet vjet, çdo mëngjes ai bënte kafenë për veten dhe për mua. Ne kemi pasur shërbëtorë, kamerierë, të gjithë. Por jo, ai e bënte vetë dhe ma sillte te shtrati…”, i kishte thënë ndër tjerash Jovanka një gazetareje beogradase.

Megjithatë, thuhet se e vërteta është krejtësisht e ndryshme dhe se ajo ishte figura dominuese në marrëdhëniet e tyre.

Nikola Ljubiçiç, një ish-ministër federal i mbrojtjes pretendon se Jovanka Tito ushtroi presion të padurueshëm ndaj Titos.

Në këtë drejtim, ai ka përmendur një episod gati të pabesueshëm: “Tito, në disa raste është ankuar për ngacmimet që i bënte Jovanka, si kishte ardhur në dhomën e fjetjes, gjithë natën i kishte bërë presion për çështje të personelit dhe të tjera, duke mos e lejuar atë të flinte, duke e bërë atë që të futej dhe të mbyllej në banjë, ku edhe qëndronte deri në mëngjes”. /Telegrafi/