Forbes publikon listën e 10 futbollistëve më të paguar në vitin 2020, Ronaldo më i paguari

Ylli portugez i Juventusit, Cristiano Ronaldo është futbollisti më i paguar në planet sipas listës më të fundit nga revista prestigjioze Forbes.
Revista e njohur amerikane ka lëshuar renditjen me atletët më të pasur meshkuj në botë, me legjendën e tenisit Roger Federer që zuri vendin e parë për herë të parë ndonjëherë, pasi fitoi 106.3 milionë dollarë.
Ylli i Juventusit dhe Portugalisë, Ronaldo u rendit i dyti në përgjithësi apo i pari nga lojtarët më të paguar duke arritur fitime prej 105 milionë dollarësh, ku shumica vijnë nga paga, reklamimet dhe bizneset.
Fituesi i pesëfishit të Ballon d'Or bëri 1 milion dollarë më shumë sesa rivali i tij më i madh, Lionel Messi, i cili fitoi gjatë vitit plot 104 milionë dollarë.
Në vendin e tretë në listën e futbollit gjendet braziliani Neymar, i cili pa që llogaria e tij bankare u rrit për 95.5 milion dollarë nga marrëveshjet e ndryshme tregtare dhe paga e tij fitimprurëse te PSG.
Vendi i katërt për këtë vit i takon yllit të Liverpoolit, Mohamed Salah me fitimet prej 35.1 milionë dollarësh që vijnë si rezultat i pagës së tij prej 23.1 milionë dollarësh dhe 12 milionë dollarë tjera nga reklamimet dhe bizneset e ndryshme.
Kylian Mbappe, lojtari më i ri në listë, fitoi 33.8 milionë dollarë për ta vendosur atë në vendin e pestë, ndërsa Andres Iniesta u rendit i gjati me 29.6 milionë dollarë fitime.
Dhjetë të parët u kompletuan nga ylli i Arsenalit Mesut Ozil, ylli i Manchester Unitedit dhe Francës Paul Pogba, Oscar i Shanghai SIPG dhe sulmuesi i Barcelonës, Antoine Griezmann.
Dhjetë futbollistët më të paguar në botë:
1.Cristiano Ronaldo - 105 milionë dollarë
2.Lionel Messi - 104 milionë dollarë
3.Neymar - 95.5 milionë dollarë
4.Mohamed Salah - 35.1 milionë dollarë
5.Kylian Mbappe - 33.8 milionë dollarë
6.Andres Iniesta - 29.6 milionë dollarë
7.Mesut Ozil - 28,7 milionë dollarë
8.Paul Pogba - 28.5 milionë dollarë
9.Oscar - 27.5 milionë dollarë
10.Antoine Griezmann - 26.7 milionë dollarë
/Telegrafi/





















































