LAJMI I FUNDIT:

FMN, do të shkurtojë sërish projeksionet e ekonomisë globale

FMN, do të shkurtojë sërish projeksionet e ekonomisë globale

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, deklaroi se, institucioni që ajo drejton me shumë gjasa do të shkurtojë projeksionet për ekonominë globale gjatë vitit aktual, si pasojë e dobësisë së kërkesës, tregtisë, investimeve dhe pabarazisë në normat e rritjes.

Sipas Lagarde, liderët e G20 duhet të bëjnë më shumë për të nxitur rritjen dhe luftuar pabarazinë. Numri një i Fondit Monetar Ndërkombëtar foli për një rritje ekonomike globale në ngadalësim, të brishtë dhe jo të nxitur nga tregtia.


“Ju mund të thoni se Brexit nuk po prodhon krizën që ne kishim parashikuar, apo që tranzicioni i Kinës po ecën me ritme të kënaqshme. Por këto janë vetëm në sipërfaqe”, nënvizoi Lagarde.

Parashikimet e reja të Fondit Monetar Ndërkombëtar sa i përket ekonomisë globale pritet të publikohen në fillim të muajit të ardhshëm. Një shkurtim i mëtejshëm i projeksioneve do të ishte i 6-ti me radhë në 18 muajt e fundit, çka tregon mjaft mirë pesimizmin që rrethon ekonominë dhe financat globale.

Menjëherë pas 23 Qershorit, Fondi Monetar Ndërkombëtar shkurtoi projeksionet për ekonominë globale, në 3.1% për vitin aktual dhe 3.4% për vitin e ardhshëm. Vëllimet tregtare në rënie të vazhdueshme vlerësohen si faktori kyç i ngadalësimit të rritjes. /Telegrafi/