Flick do të mbajë takime individuale me katër yjet e Barcelonës – e ardhmja e tyre në rrezik

Barcelona po synon të kryejë disa transferime të mëdha këtë verë për herë të parë pas katër vitesh, duke pasur në shënjestër një mbrojtës qendre dhe një sulmues qendre, me qëllim që ta afrojë skuadrën më pranë finales së Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, që kjo të realizohet, katalanasit me shumë gjasë do të duhet të shesin lojtarë, për të liruar hapësirë të mjaftueshme brenda kufirit të pagave.
Siç ndodh zakonisht, spekulimet janë të shumta për emrat që mund të largohen. Është përfolur se Barcelona do të konsideronte shitjen e Raphinhas ose Fermin Lopez, nëse do të vinte një ofertë mjaft e madhe, por të dy kanë deklaruar publikisht se synojnë të qëndrojnë.
E njëjta gjë vlen edhe për Marc Casado, i konsideruar nga shumica si kandidat për largim, por edhe ai ka thënë se është “i emocionuar të qëndrojë për shumë vite”.

Sidoqoftë, ka disa lojtarë për të cilët Barcelona do të ishte e gatshme të dëgjonte oferta. Sipas Mundo Deportivo, trajneri Hansi Flick pritet të zhvillojë takime individuale me të paktën katër lojtarë për të diskutuar të ardhmen e tyre në klub sezonin e ardhshëm.
Ai do të bisedojë me ta për planet dhe dëshirat e tyre dhe më pas, së bashku me klubin, do të marrë një vendim se si do të veprohet më tej.
Në mesin e emrave të përfshirë janë edhe mbrojtësit e krahut Alejandro Balde dhe Jules Kounde, meqë asnjëri nuk e nisi titullar El Clasicon e së dielës së kaluar, pasi e kishin humbur vendin në formacion ndaj Eric Garcia dhe Joao Cancelo.
Sulmuesi suedez Roony Bardghji është një tjetër lojtar me të cilin Flick do të diskutojë opsionet e mundshme.
Ndërkohë, edhe kapiteni Ronald Araujo është në këtë listë, pasi nuk ka pasur shumë minuta në dispozicion, megjithëse rasti i tij konsiderohet i veçantë për shkak të mungesës në dhjetor.
Uruguajani mbetet i vendosur të qëndrojë këtë verë, pavarësisht mungesës së hapësirave në lojë./Telegrafi/

















































