Akuzat dhe dosjet sekrete: Rasti i Marta Kosit e rikthen në fokus trashëgiminë e UDB-së

Çfarë ndodhi me dosjet e Drejtorisë të Sigurimit Shtetëror (UDB) pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe pse përmbajtja e tyre vazhdon të jetë, edhe më shumë se tre dekada më vonë, objekt debatesh?
Dokumentet e policisë sekrete janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes pasi komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e përballur me akuza të vazhdueshme dhe të paprovuara se ka qenë bashkëpunëtore e shërbimit sekret jugosllav, dëshmoi para Parlamentit Evropian.
Ajo i shmangu të përgjigjet drejtpërdrejt në pyetjet lidhur me angazhimin e saj nga periudha kur Sllovenia, që është shteti i saj i origjinës, ishte pjesë e Jugosllavisë dhe kur Kos ishte gazetare. Në atë kohë, Kos ishte në të 20-tat.
Në atë periudhë, në territorin e shtetit që përbëhej nga gjashtë republika dhe dy krahina autonome, vepronte një shërbim i vetëm, Drejtoria e Sigurimit Shtetëror, e njohur me akronimin UDB.
Nga ky shërbim, i konsideruar në masë të madhe si i diskutueshëm, pas shpërbërjes së Jugosllavisë u krijuan shtatë shërbime të veçanta sigurie. Nëse ekziston ndonjë gjurmë e lidhjes së ndokujt me agjencitë e sigurisë nga koha e ish-Jugosllavisë, më shumë se 30 vjet pas shpërbërjes së saj, kjo është e vështirë të vërtetohet.
Sa për rikujtim, Rezoluta e Parlamentit Evropian e vitit 2021 ka bërë thirrje për hapjen e arkivave të ish-Jugosllavisë, me fokus të veçantë në hapjen e dosjeve të UDB-së.
Hapja e arkivave në vende si Gjermania Lindore, Republika Çeke dhe Polonia u realizua në valën e demokratizimit të vendeve të ish-bllokut lindor në fund të viteve '80 dhe në fillim të viteve '90.
Në të kundërt, në shtetet e ish-Jugosllavisë, të cilat u formuan në kushte konfliktesh, luftërash dhe shkatërrimesh, procesi i demokratizimit dhe transformimit të shërbimeve të sigurisë ka qenë më i ngadalshëm dhe i shoqëruar me shumë polemika.
Deri më sot, pothuajse asnjë shtet nuk e ka pastruar plotësisht këtë pjesë të së kaluarës së tij.
Çfarë ndodhi me dosjet në Slloveni?
Sllovenia ishte shteti i parë i krijuar pas shpërbërjes së Jugosllavisë që i hapi arkivat dhe dosjet, thotë për Radion Evropa e Lirë, historiani kroat Mario Previshiq.
“Ishte veçanërisht interesante si për historianët dhe profesionistët e fushës, ashtu edhe për politikën”, thotë ai.
Sot, këto dokumente janë të qasshme në Arkivin e Republikës së Sllovenisë.
Siç theksoi në një përgjigje me shkrim për REL-in historiani slloven Bozho Repe, “arkivat nuk janë ruajtur në tërësi dhe nuk dihet as sa prej tyre kanë ekzistuar në përgjithësi, pasi pastrimi i materialeve është bërë të paktën dy herë – pas shkarkimit të Aleksandar Rankoviqit në fund të viteve '60 dhe në fund të viteve '80, kur supozohet se janë shkatërruar rreth 17.000 dosje”.
Repe thotë se nuk dihet çfarë është “hequr, shtuar apo ndryshuar” nga të dhënat e policisë sekrete të sistemit të kaluar (kryesisht për qëllime politike, para së gjithash kundër politikanëve të majtë-liberalë, por jo rrallë edhe kundër të djathtëve, nëse kjo i përshtatej dikujt).
Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1991, në Slloveni si shërbim qendror i inteligjencës dhe sigurisë vepron Agjencia Sllovene e Inteligjencës dhe Sigurisë (SOVA), me seli në Lubjanë.
Kroacia: Emër i ri, njerëz të vjetër
Në Kroaci, që nga pavarësia në vitin 1991, sektori i sigurisë ka kaluar nëpër disa transformime, ndërsa nga viti 2006 filloi veprimtarinë Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës (SOA), e cila me këtë emër ekziston edhe sot.
“Në Kroaci, si në çdo vend tjetër që është reformuar në Evropë, veprojnë forma të ndryshme të agjencive të inteligjencës që kanë funksione dhe qëllime të ndryshme”, thotë historiani Martin Previshiq për Radion Evropa e Lirë.
Previshiq është autor i librit “Goli otok – historia”, një lloj studimi për kampin e Goli Otokut, i cili bazohet në dokumente të shumta nga arkivat e UDB-së, si dhe në një sërë dëshmish të ish-të burgosurve të kampit.
Goli Otoku ishte një burg dhe kamp pune jugosllav për kundërshtarët politikë në ish-Jugosllavi.
Për transformimin e policisë sekrete nga sistemi i vjetër në të riun flet një anekdotë nga periudha kur Previshiq po mblidhte materiale për librin dhe po intervistonte ish-të burgosurit e Goli Otokut.
Njëri prej tyre i kishte treguar se ishte arrestuar në vitin 1948 si informbiroist. Kur në qelinë e tij kishte hyrë një anëtar i ri i UDB-së, ai i kishte mbajtur mend fytyrën. Dyzet vjet më vonë, në vitin 1991, kur Kroacia po shpallej e pavarur, ish-i burgosuri po shikonte televizorin dhe pa presidentin e parë të Republikës së Kroacisë, Franjo Tuxhman. Pranë tij ishte një burrë me kostum të bardhë, të cilin ish-i burgosuri e njohu. Ai e kishte identifikuar njeriun që kishte hyrë në qelinë e tij në vitin 1948. Ishte Josip Manolliq, që në atë kohë ishte kryeministër i Republikës së Kroacisë.
Vetë Manolliqi, në një paraqitje në HRT në vitin 1995, duke folur për kalimin e kuadrove të shërbimit sekret në strukturat e reja të Republikës së Kroacisë, tha se “nuk ishte momenti për të hyrë në pastrimin e rasteve individuale”.
“Vendimi i udhëheqjes së lartë të Republikës së Kroacisë ishte t’i marrim të gjitha institucionet që deri atëherë kishin funksionuar në Republikën Socialiste të Kroacisë, në përbërjen në të cilën ishin. Nuk do të ketë asnjë lloj revanshizmi ndaj njerëzve që profesionalisht kanë kryer detyrat e tyre”, deklaroi në atë kohë Manolliqi.
“E gjithë aparatura është trashëguar dhe ajo kishte, më shumë ose më pak, një rol të ngjashëm me atë që kishte në Jugosllavi”, shton Previshiq.
Ai shpjegon po ashtu se ekziston një perceptim “naiv” se në vitin 1991 ndodhi një ndërprerje e plotë.
“Po, Jugosllavia u shpërbë, u shemb një ideologji e vjetër, erdhën disa paradigma të reja, por le të jemi realistë: i gjithë sistemi u mor përsipër sërish nga sistemi i vjetër”, thotë Previshiq.
Si Sllovenia, edhe Kroacia i ka hapur arkivat e UDB-së. Midis 15 dhe 20 mijë dosjesh, të mbledhura deri në fillim të viteve ’90, u bënë të qasshme për publikun.
Sot dosjet ruhen në Arkivin Shtetëror të Kroacisë.
REL-i nuk ka marrë përgjigje në pyetjen nëse disa nga dosjet mund të kenë mbetur të pahapura.
Ndër të tjera, në arkiva gjenden edhe dosja e të dënuarit për krime lufte Vojisllav Sheshel dhe e presidentit të parë të Kroacisë, Franjo Tuxhman.
Mali i Zi hap një pjesë të vogël të arkivave
Pavarësisht se praktikat e disa vendeve tregojnë ndikimin pozitiv që ka pasur hapja e arkivave, dosjet sekrete të UDB-së në disa shtete mbeten ende të klasifikuara.
Një rast i tillë është edhe në Mal të Zi. Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB), e themeluar në vitin 2005, një vit para shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, ka hapur vetëm një pjesë të materialeve arkivore që lidhen me periudhën deri në vitin 1948, pra me fazën e hershme të veprimtarisë së OZNA-së dhe fillimet e UDB-së.
REL-i nuk ka marrë përgjigje në pyetjen nëse autoritetet planifikojnë që të hapin edhe dosje të tjera.
Avokati Nikolla Angellovski, i cili dy vjet më parë i kishte dorëzuar Kuvendit të Malit të Zi një kërkesë për miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve, thotë se materiali i publikuar nuk është i mjaftueshëm.
“Hapja është simbolike dhe e kufizuar. Bëhet fjalë për arkivin që mbulon periudhën më të hershme të sistemit të sigurisë shtetërore komunist pas Luftës së Dytë Botërore”, thotë Angellovski për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se ANB e ka deklasifikuar këtë pjesë me arsyetimin se nuk ekziston më “interes i sigurisë për ta mbajtur si material të klasifikuar”.
“Kjo nuk përfshin fazat e mëvonshme të zhvillimit të këtyre shërbimeve, të cilat ishin shumë më komplekse dhe politikisht më domethënëse, periudhën e Informbyrosë në Mal të Zi, periudhën e viteve ’50, ’60, ’70 dhe ’80, si dhe periudhën tranzitore të viteve ’90. Për këtë arsye, ky hap konsiderohet vetëm si ‘hap i parë’, por jo si zgjidhje e plotë dhe sistematike e kësaj çështjeje”.
Ai shton se çështja e hapjes së dosjeve për dekada të tëra ndodhet në një vakum institucional në Mal të Zi dhe se shteti, i cili aktualisht, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, është më afër anëtarësimit në BE, nuk ka as ligj për lustrim dhe as ligje për vetting-un në shërbimin publik dhe në shërbimin sekret.
“Kjo do të thotë se për momentin në Mal të Zi nuk ekziston një kornizë e unifikuar ligjore që do të përcaktonte kush ka të drejtë qasjeje, në çfarë kushtesh, në çfarë mase dhe në çfarë mënyre mbrohen privatësia dhe informacionet e ndjeshme të sigurisë”.
Serbia nuk i hap arkivat
Përgjatë periudhave të ndryshme kohore, qeveri të ndryshme në Serbi kanë premtuar se do t’i hapin dosjet e shërbimeve sekrete nga Lufta e Dytë Botërore e deri sot.
Opozita Demokratike e Serbisë (DOS), i cili fitoi zgjedhjet në vitin 2000 kundër Sllobodan Millosheviqit, e kishte premtuar këtë si para ardhjes në pushtet, ashtu edhe pas saj.
Nga maji 2001 deri në qershor 2003, ishte në fuqi një rregullore e Qeverisë së Serbisë për qasje në dosje. Rreth 8.000 persona kishin aplikuar, ndërsa për 420 prej tyre u lejua një qasje e kufizuar në to.
Ndër ta ishte edhe shkrimtari Dragosllav Mihailloviq, i cili në vitin 2012 tha për Radion Evropa e Lirë se ishte nën vëzhgim nga institucionet e sigurisë deri në vitin 1990.
“Në ato dosje ishin të fshirë emrat e disa njerëzve që kishin dhënë informacione për mua. Ndërsa njerëzit e shërbimit shënonin, për shembull, kur dhe me kë takohesha. Për shembull, mua më ka vëzhguar një person i quajtur Brana nga Valeva”, kishte treguar Mihailloviq, shkrimtar që ndërroi jetë në mars të vitit 2023.
Qytetari në atë kohë, në praninë e zyrtarëve të sigurisë shtetërore, mund të lexonte dosjen e tij, por me kusht që ta trajtonte atë si sekret shtetëror dhe të mos i tregonte as familjes dhe as për publikun.
Disa nga ata që i panë shënimet shprehnin dyshime se dosjet u ishin ndryshuar dhe redaktuar më pas, ndërsa rregullorja që lejonte qasjen u shfuqizua shpejt nga shteti me arsyetimin se ishte jokushtetuese.
Ligji që do të rregullonte hapjen e dosjeve nuk është miratuar nga asnjë qeveri serbe nga viti 2000 e deri sot.
Predrag Petroviq nga Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë thotë se është e rëndësishme të dihet qëllimi i hapjes së dosjeve: nëse bëhet për lustrim, për ballafaqim me të kaluarën, për ndjekje penale, apo për të gjitha këto së bashku.
“Përveç kësaj, kemi një rrethanë të rëndësishme që disa persona që u gjendën në të ashtuquajturat pushtete të reja demokratike, me shumë gjasë kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve të sigurisë. Do të ishte shumë e pafavorshme për ta që kjo të zbulohej. Për shumë prej tyre periudha nga ’45 deri në vitet 2000 nuk konsiderohet autokratike, prandaj mendojnë se dosjet nuk përmbajnë asgjë problematike”, thotë Petroviq.
Agjencia e sotme e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) ia dorëzon në mënyrë të vazhdueshme Arkivit të Serbisë dokumentacionin më të vjetër se 30 vjet, në të cilin përfshihen edhe 80.000 dosje personale të qytetarëve.
Arkivi operativ, të ashtuquajturat dosje të gjalla dhe dokumentacioni i krijuar pas vitit 2002 ruhen në selinë e BIA-s në Beograd. Numri i këtyre dosjeve është sekret shtetëror. Po ashtu, nuk dihet as vëllimi i arkivit të krijuar nga shërbimet sekrete në Serbi që nga viti 1945.
BIA u krijua në vitin 2002, pas shuarjes së Resorit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, një agjenci që konsiderohet kyç në formimin e formacioneve paramilitare përgjegjëse për krimet e luftës të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, si dhe për krime brenda vendit.
BIA nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është në plan miratimi i një ligji që do të rregullonte hapjen e dosjeve.
Predrag Petroviq nga Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë vlerëson se modernizimi i shërbimit sekret në Serbi është kufizuar në blerjen e pajisjeve të reja dhe rritjen e pagave të punonjësve të tij.
“Prandaj që nga krijimi i saj ajo ka shënuar vetëm dështime. Ka mbrojtur mbretërinë, mbretëria u rrëzua. Më pas patëm një shërbim që mbrojti komunizmin, komunizmi u shemb dhe fituan nacionalistët”, u shpreh Petroviq.
Më shumë se gjysma e shefave të shërbimit sekret që janë emëruar që nga viti 2000 nuk kishin punuar më parë në sektorin e sigurisë dhe nuk ishin profesionistë.
Një pjesë e tyre janë vendosur drejtpërdrejt nga radhët e partive në pushtet, që është edhe rasti me drejtorin aktual të BIA-s, Vladimir Orlliq.
Çështja e arkivave të UDB-së në Kosovë
Deri në shpalljen e pavarësisë, Kosova nuk kishte një shërbim të pavarur të inteligjencës, por ishte nën kontrollin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
UDB-ja në Kosovë ka përndjekur aktivistët politikë dhe kundërshtarët e regjimit, ndërsa ekzistojnë akuza dhe raste të dokumentuara të represionit dhe vrasjeve politike.
Një nga rastet e njohura është vrasja e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut Enver Hadri në vitin 1990 në Bruksel.
Gjykata belge në vitin 2016 vendosi se kjo vrasje ishte porositur nga shërbimi i sigurisë jugosllave dhe, në lidhje me këtë, dënoi me burgim të përjetshëm Bozhidar Spasiq, ish-anëtar i shërbimit sekret serb.
Spasiq sot e kësaj dite gjendet në liri në Serbi, ku merr pjesë edhe në paraqitje publike.
Në Kosovë sot funksionon Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), e formuar pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia në vitin 2008. Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje në pyetjen se çfarë ka ndodhur me arkivin e UDB-së që ndodhej në Kosovë.
Mendohet se AKI është krijuar si pasardhëse institucionale e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), i cili kishte dalë nga strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se çdo zbulim i të dhënave apo informacioneve lidhur me arkivin e UDB-së duhet të trajtohet me rezerva, duke marrë parasysh “politikën antagoniste të Serbisë ndaj Kosovës”.
“Autoritetet serbe, përmes formave të ndryshme të luftës speciale kundër Kosovës, shpesh përdorin madje edhe të dhëna të inteligjencës apo të dhëna të UDB-së për të shënjestruar ose dëmtuar figura me ndikim në Kosovë. Deri më sot nuk ekzistojnë informacione të besueshme se arkivi i lidhur me UDB-në është shkatërruar apo është larguar nga Kosova, kur institucionet serbe janë tërhequr”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Kompleksiteti i Bosnjës
Në Bosnje dhe Hercegovinë, pas disa agjencive të fragmentuara që u krijuan gjatë dhe pas luftës, sektori i sigurisë në vitin 2004 u transformua në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje dhe Hercegovinës.
Pas përfundimit të luftës, në vitin 1996 u themelua Agjencia për Hulumtim dhe Dokumentim (AID).
Gjatë periudhës së ekzistimit të entitetit para-shtetëror Herceg-Bosnja në vitin 1994 u formua Shërbimi i Sigurisë Kombëtare (SNS), i cili gjithashtu vepronte si agjenci inteligjence, ndërsa në entitetin e Republikës Sërpska funksiononte Shërbimi i Inteligjencës dhe Sigurisë, i formuar në vitin 1998.
Transformimet vazhduan në vitin 2002, kur AID dhe SNS u bashkuan në Shërbimin Federal të Inteligjencës dhe Sigurisë (FOSS).
Dy vjet më vonë, u krijua Agjencia e vetme e Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje dhe Hercegovinës (OSA), kur u bashkuan FOSS dhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Republikës Sërpska.
“Duke qenë se u integruan ose u bashkuan Agjencia Federale e Inteligjencës e entitetit të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës dhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë, përkatësisht shërbimi i entitetit Republika S[rpska. Sot kemi OSA-në si një shërbim civil unik dhe tërësor që vepron në gjithë territorin e Bosnje dhe Hercegovinës”, shpjegon Ahmed Kico, ish-oficer i inteligjencës dhe ekspert i sigurisë.
Megjithatë, Kico vlerëson se hapja e dosjeve të UDB-së është shoqëruar me manipulime dhe lajme të rreme.
“Të gjithë ata që janë të interesuar për një lloj të tillë të dhënash, gazetarët, diplomatët, mund t’i kërkojnë ato nga agjencitë e sotme të inteligjencës në bazë të ligjit për qasje në informacion”, shpjegon Kico.
Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje në pyetjen se çfarë po ndodh me dokumentet e UDB-së që janë trashëguar nga agjencia e sigurisë së Bosnje dhe Hercegovinës.
“Për disa gjëra nevojiten të paktën 30 vjet ose më shumë për t’u lejuar qasja në informacionet konfidenciale. Pra, para së gjithash, përveç ligjit për qasje në informacion, nevojitet edhe ligji për lustrim dhe akte të tjera nënligjore, në mënyrë që të dhënat të përdoren në përputhje me ligjin”.
“Nëse nuk keni një ‘legjislacion të rregulluar”, sipas ekspertit të sigurisë, “ju jeni në pozitë që të bëheni objekt dhe në fund të fundit edhe viktimë”.
Maqedonia e Veriut ka hapur të gjitha dosjet
Ligji i miratuar në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut ka mundësuar që çdo dosje të mund të hapet nëse ka kërkesë për një gjë të tillë.
“Personi mund të marrë dhe të shohë kush e ka përgjuar, kush ka qenë informator, çfarë është thënë për të”, shpjegon Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, i cili shton se bëhet fjalë për një proces transparent.
Maqedonia e Veriut ka hapur rreth 14.000 dosje, ndërsa Trajanov thotë se sot ato nuk përdoren më si mjet kundër rivalëve politikë.
Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje nga autoritetet në pyetjen se sa ka qenë interesi i qytetarëve për hapjen e dosjeve.
“Tani nuk ka asgjë që nuk është hapur. Nëse ka mbetur diçka, atëherë është ndonjë interes tjetër, për shembull privat. Çdokush, nëse ka pasur dyshime se ka dosje, ka mundur të kërkojë, ta shohë dosjen e tij dhe ta publikojë atë”, thotë ish-ministri maqedonas.
Gjatë mandatit të tij si ministër ai ka udhëhequr edhe shërbimin e sigurisë së Maqedonisë së Veriut, i cili pas shpërbërjes së Jugosllavisë ka kaluar në disa tranzicione, përfshirë në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, derisa më në fund në vitin 2019 u formua Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB).
Sot, si koordinator kombëtar për luftën kundër terrorizmit, Trajanov thotë se në të kaluarën UDB-ja kishte të njëjtin sistem pune kudo, nga Sllovenia deri në Maqedoni të Veriut, pa dallime. Megjithatë, ai shton se arsyet dhe qasjet e bashkëpunimit me shërbimin e sigurisë kanë qenë të ndryshme.
“Shumë njerëz kanë qenë të detyruar të bashkëpunojnë me shërbimin. Disa kanë punuar për karrierë, disa për para. Disa kanë qenë të detyruar, të shantazhuar, motivet janë të ndryshme”, përfundon Trajanov.
Nuk dihet saktësisht sa persona kanë bashkëpunuar me UDB-në gjatë ekzistencës së saj shumëdekadëshe. /Telegrafi/

































