Milosh Medenica, djali i ish-kryetares së Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica, ka publikuar një video të re nga arratia, në të cilën ka ngritur akuza të rënda ndaj strukturave politike në Serbi.

Ai pretendon se posedon komunikime që, sipas tij, tregojnë lidhje mes personave të afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe individëve të njohur të botës së krimit.


Në videon e publikuar, Medenica deklaron se së bashku me ekipin e tij ligjor kanë përgatitur materiale të reja, të cilat, sipas tij, përmbajnë informacione me rëndësi.

“Unë dhe ekipi im ligjor kemi përgatitur një korrespondencë të re, e cila meriton një koment të veçantë”, ka thënë ai.

Sipas pretendimeve të Medenicës, bëhet fjalë për komunikime mes Boban Baçeviqit dhe Goran Vlaoviqit, ku ai thotë se diskutohet një plan për krijimin e kontakteve me presidentin serb Aleksandar Vuçiq përmes personave nga veriu i Kosovës.

Ai përmendi emrat e Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojiçiqit, duke pretenduar se në këto mesazhe përshkruhet një strategji për t’iu afruar kreut të shtetit serb përmes një personi nga Mitrovica e Kosovës.

4.4K reactions · 248 comments | 🔥 Otkrivena uloga Vučića u još jednoj likvidaciji❗️ | Slavija info TV www.facebook.com


Medenica pretendon gjithashtu se komunikimet përmbajnë elemente që lidhen me përgatitjen e një veprimi kriminal ndaj dy personave. Sipas tij, nëse këto pretendime vërtetohen, ato do të paraqisnin dëshmi të tjera për lidhjet e mundshme mes segmenteve të pushtetit dhe grupeve kriminale.

“Nëse përmbajtja e kësaj korrespondence rezulton e saktë, kjo do të ishte një tjetër dëshmi për mënyrën e funksionimit të kartelit të SNS-së dhe lidhjet e tij me njerëz nga bota e krimit”, ka deklaruar ai.

Në videon e tij, Medenica ka kritikuar edhe sistemet e drejtësisë në Serbi dhe Mal të Zi, duke pretenduar se ato kontrollohen politikisht dhe se vendimet për arrestime dhe ndjekje penale merren në mënyrë selektive.

“Të gjitha proceset në Serbi dhe Mal të Zi menaxhohen nga karteli i SNS-së. Ata vendosin se kush do të arrestohet dhe kush do të marrë dënime më të rënda”, është shprehur ai.

Në fund të mesazhit të tij, Medenica u ka bërë thirrje studentëve dhe qytetarëve që të vazhdojnë rezistencën kundër asaj që ai e cilëson si “krim të organizuar”.

“Studentët po fitojnë”, ka thënë ai.

Milosh Medenica është dënuar nga Gjykata e Lartë në Podgoricë me 10 vjet burg për akuza që lidhen me krijimin e një grupi kriminal, trafik droge, kontrabandë cigaresh dhe korrupsion. Ai ndodhet në arrati pasi u largua nga Mali i Zi ditën kur u shpall vendimi ndaj tij.

Akuzat e bëra nga Medenica nuk janë të provuara në mënyrë të pavarur, ndërsa personat e përmendur prej tij nuk kanë dhënë reagime për pretendimet e publikuara në këtë video. /Telegrafi/

3.1K reactions · 140 shares | 🔥 Medenica izneo nove dokaze protiv Vučića i SNS-a❗️ | Slavija info TV www.facebook.com