ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Komuna e Ferizajt ka njoftuar se Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) ka finalizuar përgatitjet për organizimin e manifestimit tradicional “Ditët e Mërgatës 2026”, i cili do të sjellë përgjatë javëve në vijim një sërë aktivitetesh artistike, kulturore dhe sportive.

Sipas njoftimit, Gazmend Bytyqi ka mbajtur sot një takim me zyrtarët dhe përgjegjësit e sektorëve të drejtorisë, ku janë shqyrtuar detajet organizative dhe është konfirmuar gatishmëria për zhvillimin e programit.


Manifestimi nis nesër me koncertin e Ramë Lahaj International Opera Festival, me titull “Homazh për Nexhmije Pagarushën”, ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë deri në muajin gusht, duke përfshirë koncerte, programe kulturore, ekspozita dhe gara sportive.

Sipas DKRS-së, janë ndërmarrë të gjitha masat organizative për mbarëvajtjen e manifestimit, me qëllim që qytetarëve të Ferizajt dhe bashkatdhetarëve që vijnë nga diaspora t’u ofrohet një program i larmishëm gjatë sezonit veror.

"Ditët e Mërgatës 2026” pritet të sjellin një atmosferë festive dhe të forcojnë lidhjet mes qytetit dhe bashkatdhetarëve që vijnë nga diaspora gjatë sezonit veror", thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/