"Finalet nuk kanë favorit, fati është me ata që angazhohen" -Thaqi i lumtur pas triumfit në Kupën e Kosovës

Trajneri i Dukagjinit, Arsim Thaqi, e ka cilësuar triumfin në Kupën e Kosovës si rezultat të karakterit dhe angazhimit të skuadrës, duke theksuar se finalet nuk kanë favorit dhe se ekipi i tij e dëshmoi këtë edhe një herë.
Pasi e fitoi sezonin e shkuar me Prishtinën, Arsim Thaqi e bëri sërish, kësaj radhe me Dukagjinin.
“Situatat kanë qenë të ngjashme si me Prishtinën vitin e shkuar, ashtu edhe me Dukagjinin. Këtë vit e njëjta gjë si me Prishtinën: në gjysmëfinale e kemi mposhtur Ballkanin. Finalet nuk kanë favorit dhe kjo u dëshmua sot”, deklaroi Thaqi pas ndeshjes.
Ai e vlerësoi lart edhe paraqitjen e Ferizajt në finale, duke pranuar se kundërshtari ishte shumë i fortë. “Ferizaj pati një paraqitje të jashtëzakonshme”, u shpreh trajneri i Dukagjinit.

Thaqi i dha meritat kryesore lojtarëve të tij, të cilët – sipas tij – reaguan në momentet vendimtare dhe treguan qetësi e karakter, ndërsa u ndal edhe te goli vendimtar, që e cilësoi spektakolar. “I falënderoj lojtarët e mi që treguan karakter. Me një gol spektakolar arritëm ta fitojmë finalen. I uroj lojtarët për karakterin dhe fitoren”, tha ai.
Trajneri përmendi edhe mbështetjen nga qyteti i Klinës, duke falënderuar tifozët dhe duke kërkuar organizim sa më të mirë për paraqitjet e ardhshme.
“Qytetit të Klinës i shpreh falënderim, po ashtu tifozëve. Duhet të organizohemi sa më mirë për garat ndërkombëtare”, shtoi Thaqi.
Duke folur për presionin e finales, ai theksoi se Dukagjini kishte humbur disa herë më parë në akte vendimtare dhe se këtë herë dëshira për ta fituar trofeun ishte shumë e madhe.
“Dukagjini i ka humbur tri herë finalet. Është e kuptueshme që një trajner dhe një ekip finalet i luajnë për t’i fituar. Kjo ka qenë dëshira ime, prandaj kishte presion – edhe te lojtarët”, deklaroi Thaqi.

Në fund, Thaqi pranoi se fati ishte edhe në anën e Dukagjinit, por e lidhi atë me punën dhe përkushtimin.
“Nuk është e lehtë pas energjisë së humbur ta fitojmë këtë finale. Ishim pak me fat, por fati është me ata që angazhohen”, përfundoi ai. /Telegrafi/












































