LAJMI I FUNDIT:

Filmi “A Clockwork Orange”: Si u realizua monumenti i kinemasë moderne?

Filmi “A Clockwork Orange”: Si u realizua monumenti i kinemasë moderne?

Në një bashkëbisedim me gazetarin e ditores Guardian, Phil Hoad, aktori Malcolm McDowell rrëfen procesin e punës së filmit kult “A Clockwork Orange”, me regjisorin Stanley Kubrick. Rrëfimin e tij Telegrafi ua sjell më poshtë.

Stanley Kubrick e kishte lënë mënjanë adaptimin e romanit të Anthony Burgessit, sepse nuk mund ta gjente aktorin e duhur për ta luajtur Alexin – banditin e dhunshëm. Pastaj e pa filmin “if….” të Lindsay Andersonit, ku e luaja një tjetër viktimë të institucionalizimit. U kthye te gruaja dhe i tha: “E gjetëm Alexin tonë.”

I kalova nëntë muaj me Kubrickun – para se të fillonim xhirimet – duke parë filma të dhunshëm, çdo ditë. Ishin filmat më të tmerrshëm: kampe të përqendrimit, trupa të grumbulluar… Mendonte t’i përdorte në sekuencën e trajtimit, ku Alexit i jepej terapia e aversionit.

Një ditë e pyeta Kubrickut se si do të duken miqtë e mi, “Drugët”. Ai pyeti: “Çka keni?” I thash: “E vetmja gjë në makinën time është çanta e kriketit”. Kështu që i vesha të bardhat. Pyeti se çfarë ishte mbrojtësi i ijëve, dhe kur i tregova më tha: “E vesh nga jashtë!” Kjo u bë dukja jonë. Në mendjen time, duke e luajtur Alexin, gjithmonë kam pasur idenë e Laurence Olivierit duke e bërë Rikardin e III-të dhe zhargoni “Nadsat” që e flisnin “Drugët” ishte shumë shekspirian.

“Unë nuk e di se çfarë dua”, thoshte Stanley, “por e di atë që nuk e dua”.

Xhirimi zgjati gjashtë muaj – filmi më i shpejtë i tij. Pasi kishte dalë jashtë kontrollit buxheti i filmit “2001: A Space Odyysey”, ai donte të tregonte se mund të bënte film me buxhet të vogël. Kushtoi 2.2 milionë funte, por që prapë ishte shumë e lartë për një film britanik.

Shumë skena u xhiruan në një lokacion rreth Londrës, përfshirë pronën Thamesmead.

Në skenën ku merrem në pyetje nga policia, oficeri hetues që luhej nga Aubrey Morris duhej të më pështynte. I gjori Aubrey mbeti pa pështymë, kështu që Steven Berkoff, që luante një polic tjetër, tha: “Mos u shqetëso, kam unë.” E nxori pështymën më të gërditshme. Stanley pyet: “A mundesh në hundën e tij?” Berkoff thotë: “Po!” Bëmë aq shumë prova, sepse Stanley nuk pranonte asgjë nën 100 për qind. Donte të pikonte si duhej, të jetë tamam poshtëruese. Natyrisht, isha pak i inatosur.

Gjatë përgatitjeve, Stanley ma tregoi një fotografi të një pacienti që operohej në sy që kishte pjesë metalike për të mbajtur syrin hapur. “Kurrë jo!” i thash. Por, e solli një mjek për t’i vënë sytë e mi nën anestezion. Shumica e operacioneve të syve bëhen me pacientin të shtrirë në shpinë, jo ulur duke shikuar videot. Kur e kryem skenën, kapakët rrëshqisnin dhe lënduan kornenë. Kur anestezia kaloi, kisha dhembje aq të madhe sa që godisja kokën për muri. Por, Stanley ishte kryesisht i shqetësuar se kur do të jetë në gjendje për ta xhiruar skenën e ardhshme.

E xhiruam përfundimin në një spital, por kishim ngecur në sekuencën e rëndësishme të rrahjes së shkrimtarit dhe të përdhunimit në grup të gruas së tij. i ndryshuam mobilet, e ndryshuam aktoren disa herë, dhe pastaj, pas pesë ditësh, Stanley më pyeti: “A mund të kërcesh?” Meqë isha i mërzitur, u hodha dhe improvizoja “Singin’ in the Rain”. Me ritëm dhunonim dhe godisnim shkrimtarin. Stanley qeshi aq shumë sa që lotët po i rridhnin nëpër faqe. Shkuam në shtëpinë e tij ku ai e thirri dikë dhe i bleu të drejtat për ta përdorur këngën.

U lodha pastaj. Shkova në Cornwall ku kalova disa javë duke udhëtuar përreth. Filmi ishte hit i madh. Gazetat inteligjente do të shkruanin editoriale për të, jo vetëm vrojtime. Ishte më i madh se një film, sepse të gjithë u ndalën te çështja e bandave dhe dhunës në shoqëri. Pas një viti, Stanley dhe familja e tij marrin disa letra me kërcënimet me vdekje, ndaj policia e këshilloi të tërhiqte filmin – gjë të cilën e bëri, por vetëm në Britaninë e Madhe. Gjithkush që donte ta shihte, tashmë e kishte parë.

Unë kisha kërkuar 100 mijë dollarë dhe 2,5 për qind nga shitja, që ishte shuma me të cilën jam paguar në filmin tim të mëparshëm. Stanley më tha se studioja Warner e kishte refuzuar 2.5 përqindëshin. Por, kur u ftova për t’u takuar me drejtuesit e studiues, ata thanë: “Do të jesh djalë shumë i pasur me 2.5 përqindëshin që i dhamë Kubrickut për ty.” E dija se kurrë nuk do të më paguante. Ishte kjo mënyrë e tmerrshme për t’u trajtuar pasi kisha dhënë aq shumë nga vetja, por e kam marrë veten. Bërja e këtij filmi më ka futur në historinë e filmit. Çdo brez i ri e rizbulon – jo për shkak të dhunës që është gjë e vjetër krahasuar me të sotmen, por për dhunën psikologjike. Ky debat për lirinë e zgjedhjes së njeriut, është ende aktual. /Telegrafi/