LAJMI I FUNDIT:

Fillon vënia në funksion e qoshqeve barok

Fillon vënia në funksion e qoshqeve barok

Dritat e ndezura të shitoreve me fasada prej baroku e paralajmërojnë hapjen e shitores së parë për sandviçë me fasadë të barokut në qytetin e Shkupit, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Në qoshkun e parë në afërsi të hotelit “Holiday In” janë vendosur pajisjet e nevojshme dhe me gjasë së shpejti do të hapet edhe zyrtarisht. Qytetarët akoma nuk e dinë se çka saktësisht janë këtë objekte të vogla në qendër të Shkupit.


“Më shumë më ngjanë si një objekt kishtar, manastir, madje pak edhe si xhami. Nuk më përkujton në kioskë. Së pari mendova se do të jetë shitore për suvenirë. Kanë filluar me të madhe të ndërtojnë objekte, dhe kjo sipas meje e shëmton imazhin e qytetit”

“Brenda nuk ka tualet. Çfarë shitore do të jetë kjo, kur njeriu i cili do të punojë, nuk ka ku të shkojë në WC. Stilin le të bëjnë si të duan, por njeriu nëse nuk ka ku të shkojë në tualet, si do të mund të punojë atje tetë orë”, kanë deklaruar disa qytetarë për TV21.

Edhe pas një viti, shitoret për sandviçë në qendër të Shkupit akoma nuk janë vënë në funksion. Institucionet kompetente po ia bartin përgjegjësinë njëra tjetrës për mosfunksionimin e këtyre qoshqeve. TV21 i ka pyetur institucionet kompetente, por nga ato nuk ka pasur përgjigje.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se shitoret për sandviçë janë nën kompetencat  e Ministrisë së Lidhjeve dhe Transportit, ndërkaq prej këtij dikasteri thonë se ua kanë shitur një kompanie private.

Përndryshe, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në vitin 2013 ka shitur tokë ndërtimore prej 8 metrave katrorë. Ndërkaq, planin ideor për shitoret për sandviçë dhe qoshqet e ka përpiluar Zharko Çushevski. Në Planin e Detajuar Urbanistik janë paraparë 20 lokacione për objekte të këtilla./Telegrafi/