LAJMI I FUNDIT:

Tentativa e katërt për votim të demarkacionit, VV sërish hedh gaz lotsjellës (Foto/Video)

Tentativa e katërt për votim të demarkacionit, VV sërish hedh gaz lotsjellës (Foto/Video)

E plotësuar: Pas gati një ore pauzë ka nisur sërish seanca e Kuvendit të Kosovës, ku për të katërtën herë u tentua që të hidhet në votim marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

Sërish një gjë të tillë e pamundësuan deputetët e Vetëvendosjes përmes hedhjes së gazit lotsjellës.

Kësaj radhe ka qenë deputeti Valon Ramadani ai që ka hedhur bombolën e gazit lotsjellës.

Ata sërish arritën ta fusin gazin lotsjellës brenda sallës së Kuvendit, pavarësisht kontrollimeve të detajuara që iu bënë nga policia. /Telegrafi/

Vetëvendosje hedh gaz lotsjellës për të tretën herë, seanca vazhdon në 16:30

E plotësuar: Menjëherë pas rifillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje pamundësoi vazhdimin e saj duke hedhur gaz lotsjellës për të tretën herë.

Gazin lotsjellës e hodhi deputeti i VV-së, Xhelal Sveçla.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se seanca e Kuvendi do të vazhdojë në ora 16:30, kur edhe sipas tij do të plotësohen kushtet për vazhdimin e seancës.

Vetëvendosje për të dytën herë sot hedh gaz lotsjellës në Kuvend

E plotësuar: Pas rifillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, sërish u hedh gaz lotsjellës nga deputetët e Vetëvendosjes.

Për të dytën deputetë të VV-së ndërprenë seancën pas hedhjes së gazit lotsjellës.

Pavarësisht shtimit të masave sigurisë, hedhja e gazit lot sjellës u bë menjëherë pas rifillimit të seancës.

E plotësuar: Seanca e Kuvendit të Kosovës sërish është ndërprerë për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës nga deputetët e Vetëvendosjes.

Gazin lotsjellës e kanë hedhur deputetja Fitore Pacolli dhe Xhelal Sveçla.

E plotësuar: Pas pauzës dhjetë minutëshe, Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet, ku në rend dite është Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi.

Kuvendi në pauzë dhjetë minutëshe

E plotësuar: Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka dhënë dhjetë minuta pauzë derisa Komisioni për Punë të Jashtme ta bëjë renditjen e re të pikave në nenin 3 të Projektligjit për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Fillon seanca për Demarkacionin (Live)

Ka filluar të mbahet vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës për Demarkacionin me Malin e Zi, ku deputetët pritet t’i japin epilog kësaj çështjeje. Për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, nevojiten 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi sot po merr pjesë në seancë, pasi dje nuk ishte i pranishëm për arsye shëndetësore.

Ndryshe, në një takim në orët e mëngjesit me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se sot do të votohet Marrëveshja për Demarkacionin.

“Kjo dramë do të përfundojë në ditën e sotshme. Në ora 11:00 do ta votojmë marrëveshjen për  shënimin e kufirit që do të thotë forcim sovraniteti dhe forcim të partneritetit me Bashkimin Evropian, liberalizim vizash dhe hapje e perspektivës”, tha Veseli.

Ndërsa, shefja e BE-së i bëri thirrje deputetëve ta votojnë demarkacionin, duke e quajtur këtë ditë të rëndësishme për Kosovën. /Telegrafi/